Deputetet e Partisë Demokratike Albana Vokshi dhe Dhurata Çupi, kanë dalë sot në një deklaratë për mediat, ku u kërkua reagimi i qeverisë në mënyrë që të mbrohen qytetarët për shkak të situatës së vështirë që është krijuar nga temperaturat e larta që kanë mbërthyer vendin.

Deputetja Albana Vokshi ka renditur gjashtë propozime në mënyrë që tu vihet në ndihmë qytetarëve, duke nisur nga shkurtimi i orarit të punës te mbyllja e kopështeve dhe çerdheve.

“Në këto ditë shumë të shumë të nxehta, jo të zakonshme, të vështira e të papërballueshme për çdo familje shqiptare, duke pasur parasysh temperaturat shumë të larta (rreth 38-40 grade),

Duke pasur parasysh mungesat e ujit dhe energjisë elektrike në të gjithë Shqipërinë,

Duke pasur parasysh që qeveritë e rajonit, siç është rasti i qeverisë së Kosovës që para disa ditësh mori disa masa për përballimin e ditëve të nxehta,

Së bashku me kolegen Dhurata Çupi, jemi këtu që në emër të PD të shprehim shqetësimin e thellë për mosreagimin e Qeverisë shqiptare e cila është ndër të vetmet që nuk ka reaguar për t’i ardhur në ndihmë familjeve shqiptare, ndërkohë që vijon vjedhjen dhe abuzimin e parave me inceneratorët fantazmë, me tunelet e florinjta, me koncesionet në shëndetësi të panevojshme.

Gjashtë propozimet e PD për paketën e masave për përballimin e ditëve të nxehta (propozim për VKM):

1. Shkurtim i përgjithshëm i orarit të punës (sektor publik dhe privat), maksimumi deri ne 13.00. Këtu të përjashtohen sektorë si shëndetësia, policia, ushtria, zjarrfikësit dhe çdo strukture me karakter emergjence.

2. Të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna të punojnë me orar të shkurtuar nga shtëpia;

3. Për sektorët që punojnë në ambient të hapur, siç është ndërtimi psh…të konsiderohet orar i shkurtuar ose edhe pezullimi i plotë i punës gjatë ditëve të nxehta të kësaj jave (rasti i Kosovës).

4. Mbyllja e plotë e çerdheve dhe kopshteve publike dhe private. Njëri prej prindërve të kujdeset për fëmijët kundrejt kompensimit të pagës (mban fëmijët në shtëpi).

5. Për pensionistët që jetojnë vetëm apo për personat PAK: posta shqiptare të marrë masat me dërgimin e pensionit apo të pagesës së PAK në shtëpi (pa kosto shtesë financiare).

6. Ngritja urgjente e grupeve ndër-institucionale në nivel bashkie, të përgjigjes së menjëhershme për personat PAK, pensionistet dhe kategori të tjera në nevojë për cdo nevojë që mund të kenë për të blerë ilaçe, pazar ushqimor, asistencë në banesë duke vendosur edhe një numër kontakti falas, etj)”, u shpreh ajo.

Deputetja Çupi u shpreh se target grup janë të miturit, fëmijët e mitur, gratë shtatzëna dhe punëtorët që për shkak të natyrës së profesionit të tyre duhet të punojnë jashtë.

“Personat më të rrezikuar nga temperaturat e nxehta janë të moshuarit, të miturit, personat me aftësi të kufizuara, punëtorët në natyrë, si policët, bujqit, të cilët nuk duhet të rrinë gjatë jashtë, të strehët, personat me të ardhura të ulëta.

Duam t’i bëjmë të artë qeverisë që ky është target grupi të cilit shteti duhet ti qendrojë pranë. Jemi detyruar të dalim me propozime sepse qeveria nuk ka reaguar. Jemi këtu pranë qytetarëve me këto propozime”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb