ELBASAN– Xhenierët e Forcave të Armatosura përfunduan ndërtimin e një ure “bailey” në fshatin Papërr Sollak të Bashkisë së Elbasanit. Ura u ndërtua në një kohë shumë të shkurtër, pavarësisht temperaturave të ulëta që kanë përfshirë vendin. Kjo urë ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e banorëve të kësaj zone dhe lehtëson ndjeshëm lëvizjen e tyre. Në përfundimin e kësaj ure që i shërben edhe fshatrave Cacabes, Bodin e Plangaricë, ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila shoqërohej nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, deputeti i zonës, Taulant Balla dhe prefekti i qarkut Arben Kamami.

Në fjalën e saj, ministrja Kodheli falenderoi efektivët e FA për punën e vështirë në temperatura nën zero, pushtetin lokal e deputetin Balla për bashkëpunimin, pa harruar të përmendë rëndësinë që kanë për komunitetin urat e ndërtuara nga FA. “Kjo është një urë që vjen në ndihmë të komunitetit si shumë ura të tjera që Forcat e Armatosura kanë bërë në gjithë këtë vit, por në mënyrë të veçantë ura lidh rreth katër fshatra ose e thënë ndryshe rreth 2000 banorë.”- u shpreh Kodheli, e cila falenderoi edhe banorët e zonës për mbështetjen. “Një falenderim i veçantë i shkon të gjithë atyre që do ta gëzojnë këtë urë, që janë banorët e kësaj zone, dhe që tregojnë përveçse mikpritje dhe respekt, edhe ndihmë e mbështetje për të gjithë Forcat e Armatosura që punuan këtu.”- u shpreh ajo.

Nga ana e tij kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini falenderoi ministren Kodheli dhe Forcat e Armatosura për bashkëpunimin, si dhe shprehu konsideratat më të larta për punën e tyre. “Falenderoj ministren Kodheli për këtë bashkëpunim kaq të efektshëm, të shpejtë, në një kohë të paimagjinueshme. Dua të falenderoj forcat që punuan këtu, ushtarakët që punuan këtu për gatishmërinë e tyre, korrektësinë e tyre, mënyrën e punës, bashkëpunimin me zonën dhe gjithçka tjetër.”- tha Sejdini, i cili shprehu bindje për të tjera bashkëpunime mes bashkisë që ai drejton dhe Forcave të Armatosura. “Shpresoj shumë që siç biseduam edhe bashkë, të kemi edhe bashkëpunime të tjera. Kontributi juaj si ministre, si ministri, gatishmëria juaj na lë të qetë që do të realizojmë ato që ne kemi biseduar për të ardhmen.”- përfundoi ai.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: