Depërtimi i masave ajrore të ftohta nga verilindja e kontinentit do të diktojnë kushtet e motit në vendin tonë duke sjellë rënie të menjëhershme të temperaturave.  Vranësira dhe reshje shiu e dëbore do të ketë në orët e para të mëngjesit në zonat veriore dhe qendrore, por sasia e tyre do të jetë e pakët.

Pas mesditës dhe në vijim pritet përmirësim i kushteve atmosferike duke ri-kthyer kthjellimet në vend, më të theksuara përgjatë vijës bregdetare. Parashikohet që edhe nata të mbetet nën dominimin e kthjellimeve dhe vranësirave të herë pas-herëshme në të gjithë territorin e vendit.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në të dy vlerat ekstremale duke luhatur vlerat ditore nga -3°C vlera minimale e shënuar në zonat verilindore deri në 15°C vlera maksimale e cila pritet në Jugperëndim të territorit.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare si në tokë dhe në det me shpejtësi mbi 35 km/h nga drejtimi Verilindor – Lindor; duke krijuar në brigjet detare dallgëzim të ulët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb