Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën se prej kohësh tenton të mbajë të destabilizuar Gjykatën Kushtetuese, përmes vënies në diskutim të mandatit të disa prej anëtarëve të saj.
Në një postim në rrjetin social “X”, Bardhi shkruan se vazhdimi i kësaj loje dhe çdo lexim i ndryshëm i Kushtetutës dhe ligjit, është duke cënuar rëndë pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqtarëve kushtetues, ndërsa e ka quajtur të gjithën një atentat për asgjësimin e vetë Kushtetutës.
“Pavarësia e Gjykatës Kushtetuese është thelbësore për garantimin e shtetit të së drejtës. Prej kohësh ka një tendencë të mazhorancës socialiste për të mbajtur të destabilizuar Gjykatën Kushtetuese, përmes vënies në diskutim të mandatit të disa prej anëtarëve të saj.
Kjo lojë që vazhdon tashmë prej muajsh, ndërkohë që Kushtetuta dhe ligji organik janë krejt të qartë: Përveç dy gjyqtarëve (Holta Zaçaj – 2025 dhe Sandër Beci – 2028), Kushtetuta dhe ligji kanë parashikuar një mandat të plotë 9-vjeçar për të gjithë gjyqtarët e tjerë kushtetues.
Prandaj vazhdimi i kësaj loje dhe çdo lexim i ndryshëm i Kushtetutës dhe ligjit, është duke cënuar rëndë pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqtarëve kushtetues.
Kjo përbën një përpjekje të qartë për kapjen dhe vendosjen nën kontrollin politik të mazhorancës gardianin suprem të Kushtetutës, Gjykatën Kushtetuese. Dhe kjo padyshim është një atentat për asgjesimin e vetë Kushtetutës!”, shkruan Bardhi.