Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kritikoi punën e Komisionerit të Prokurimit Publik, duke theksuar se ka lejuar krijimin e skemave “5D” si në Bashkinë e Tiranës, ashtu edhe në bashkitë e tjera të vendit.

Bardhi gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve u ndal tek Bashkia e Tropojës, duke thënë se Rexh Biberaj i ka dhënë rreth 5 milion euro tendera kushëririt të tij, ndërsa apeloi që SPAK të veprojë.

Duke përmendur konkretisht disa procedura prokurimi, Bardhi tha se: “Kryetari i Bashkisë Tropojë i jep tenderat djalit të xhaxhait. Janë dy kompani në emër të kushëririt të tij dhe vetëm në 3 vite i ka dhënë më shumë se 4.7 milion euro. Kontrata për ndërtimin e tregut të bagëtive, dhe sot nuk ekziston ai treg. Po ashtu ka përfituar edhe 3 procedura të tjera tërësisht korruptive dhe në konflikt interesi. Tre janë ankimuar tek ju dhe ju keni shpallur fitues djalin e xhaxhait të tij, edhe pse kishte ofertën më të lartë. Ka edhe kontratë tjetër për ndërtimin e rrugëve. Gjashtë konkurentë në garë, pesë të skualifikuar në kundërshtim me ligjin dhe fitues shpallet sërish djali i xhaxhait”.

Bardhi denoncoi mosveprimin e Këshillit të Ministrave për të shkarkuar nga detyra kryetarin e Bashkisë Tropojë.

“Shpërdorim të detyrës”, “Prerje të paligjshme të pyjeve” dhe “Shkatërrim të pronës”, duke shkaktuar një dëm të madh financiar prej 2.8 milion euro. “Ligji për vetëqeverisjen vendore detyron Këshillin e Ministrave të shkarkojë nga detyra Rexh Biberajn, sipas nenit 62/1/a të ligjit. Mosveprimi në këtë rast është shkelje flagrante e ligjit”, u shpreh Bardhi.

Bardhi i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që të veprojë pa vonesa. “SPAK duhet të mbrojë interesin publik dhe të veprojë për këto tendera korruptivë dhe në kushtet e konfliktit të interesit, që kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar për shtetin”- theksoi Bardhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb