Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Arie nga “La Boheme”, “Il Trovatore”, “Otello”, “Aida”, “Tosca”, mandej këngë turke e shqiptare janë interpretuar mbrëmë në koncertin “Tre tenorët” mbajtur në Pallatin e Kongreseve. “Tre tenorët” e sivjetshëm ishin turqit Hakan Aysev, Efe Kislali dhe Murat Harakan, ndërsa krahas tyre interpretuan edhe sopranoja Ramona Tullumani dhe tenori Armaldo Kllogjeri. Artistët sollën me një program të larmishëm tinguj të operave më të mëdha botërore, duke mundur të sjellin eksperiencën e teatrove të mëdhenj ku interpretojnë. Në një intervistë të shkurtër për “Gazeta Shqiptare”, Murat Harakan jep përshtypjet për Shqipërinë, shqiptarët dhe artistët tanë.
– Si jeni ndjerë këto ditë në Tiranë?
Më pëlqen Tirana, më duket se jemi shumë afër më këtë zonë, nga ana kulturore. Pata një tur të vogël kulturor në qytet dhe më duket se pashë pak Turqi, pak Itali e pak Greqi. Një miks i tri kulturave në një qytet të ngrohtë e mikpritës. Shqiptarët më duken të ngrohtë, të dashur.
– Janë mikpritës?
Absolutisht. Kudo që kam shkuar në qytet kanë qenë mikërpitës, u ndjemë të tre mirë, u ndjemë si në shtëpi. Është hera e parë që ne punojmë së bashku. Edhe ata janë tenorë të famshëm në Turqi. Ne kemi menduar disa herë të bëjmë një koncert të tre së bashku. Për fat, për herë të parë po e bëjmë këtë koncert në Shqipëri.
– Ju keni punuar në “Bolshoi theatre”, Berlin Stat Opera, e jo vetëm, edhe në teatro të tjerë të mëdhenj dhe keni vënë në skenë operat më të mëdha botërore. Çfarë është kjo eksperiencë, “Tre tenorët” për ju?
Po bëj një karrierë të mirë në Europë tani, jam këngëtar i përhershëm në Bolshoi tani, gjithashtu në Berlin, Riga, do jem në Covent Garden, dhe në teatro të tjerë të mirë. Është eksperiencë e rëndësishme sepse takoj njerëz të rinj dhe kam parë po ashtu skena të mrekullueshme nëpër botë. Kam kënduar me këngëtarë të mirë e ndërkohë, prezantoj vendin tim në këto teatro. Pas gjithë këtyre ndjehem mirë që jam tek “Tre tenorët” në Shqipëri, pasi është një event me traditë dhe i vlerësuar.
– Si artist, e ndjeni vetën emigrant?
Ndihem artist, sepse në jetën artistike, çdo gjë është ndryshe. Çdokush është “emigrant”, arti është mbi të gjitha, të gjithë janë të barabartë, nuk ka rëndësi nga janë, çfarë besimi kanë. Nëse je artist i mirë të mirëpresin, në gjithë botën.
– Këndon ende në Ankara?
Jam këngëtar i përhershëm i Teatrit të Operas së Ankarasë. Dhe përveç kësaj, unë shkoj në teatro të tjerë kur kam role të tjera. Më lënë të interpretoj kudo dhe më mbështesin, sepse prezantoj edhe teatrin tim edhe vendin tim.
– Cilat janë marrëdhëniet e Turqisë me zhanrin e operas?
Kemi opera turke të vjetra, ndërsa tani menaxheri i përgjithshëm i operas së Ankarasë, është kompozitor dhe ka shkruar disa opera shumë të mira. Një prej tyre titullohet “Dashuria e ndaluar”. Ka muzikë të bukur dhe më pëlqejnë operat turke edhe pse nuk kemi shumë.
– Ju do riktheheni në Shqipëri?
Po besoj, edhe në mos për koncerte, siç mendoj, do vij si turist.
– Ju dëgjuam të këndonit këngën “Kur shkova në Elbasan”. Si ju tingëllon kënga shqipe e gjuha shqipe?
Po ju thosha miqve të mi, që në verilindje të Turqisë, është qyteti Rize, ku kanë një dialekt që ngjan shumë me ju edhe ata flasin si ju, nëse ne themi Murrat, ata thonë Murat, si ju. Mendoj se gjuha shqipe është një gjuhë shumë muzikore.
– E keni kënduar ndonjëherë këngën “Mu në bahçen tënde”?
Po e kam kënduar në turqisht, nuk kam arritur ta këndoj në shqip.
– “Tre tenorët” në Shqipëri mbahet prej 15 vitesh. Si e shihni këtë koncert?
Është një koncert i mirë, i organizuar si duhet dhe me këngëtarë të mirë. E vlerësoj Armaldo Kllogjerin për shembull me të cilin pata mundësi të këndoj e po ashtu edhe Ramona Tullumanin. Ka një orkestër shumë të mirë. Ka një ekip shumë profesional.
– E thoni këtë si një bashkëpunëtor apo si një artist i skenave ndërkombëtare?
Jo, janë artistë shumë të mirë dhe profesionalë, e po ashtu orkestra.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb