Fusha e stadiumit “Qemal Stafa” pritej të ishte pengesa kryesore për takimin e djeshëm, por çuditërisht terreni ka qenë më i pranueshëm se në disa ndeshje të zhvilluara më parë nga të kuqtë. Në fillim të takimit prania e tifozëve nuk ishte e madhe, por me kalimin e minutave numri erdhi duke u shtuar duke shkuar deri në 2 mijë të pranishëm.

Në minutat e para u pa të fluturonte një dron mbi fushën e stadiumit. Ky ishte droni i kompanisë televizive që transmetoi ndeshjen, i cili ishte hedhur për të marrë disa plane nga sipër. Gjykimi i kryesorit Andi Koçi dhe anësorëve Doda dhe Rexha është kontestuar shumë, kryesisht nga të kuqtë e kryeqytetit. Më i nervozuari ka qenë trajneri Andrea Agostineli, i cili në disa momente për pak sa nuk hyri në fushë.

Gjithashtu në momente të ndryshme italiani është ankuar te gjyqtari i katërt, Denis Agaraj, për vonesat e gjata të kundërshtarëve dhe për vendimet e kryesorit. Edhe trajneri Stavri Nica u dorëzua në fund, pasi dufin për një vendim të gjyqtarit e nxori duke goditur me këmbë një shishe uji në pistë.

– Në minutën e 39-të, Kalari merr përsipër të gjuajë një goditje dënimi pranë pankinës së kuqe.

Trajneri Agostineli e udhëzoi mbrojtësin që të pasonte te Torasa në të majtë. Por nga tribuna VIP vjen udhëzimi i ish-trajnerit Sulejman Starova: “Kalaro krosoje në zonë topin”. Në fund mbrojtësi shërbeu sipas udhëzimeve të trajnerit italian.

– Në minutën e fundit të pjesës së parë, Xhevahir Sukaj nuk mund t’i durojë vendimet e gjyqtarit që, sipas shkodranit, po e dëmtonte me qëllim Partizanin. Sukaj afrohet pranë tavolinës ku rrinin delegati i ndeshjes Petrit Brahja dhe vëzhguesi Sokol Jareci duke komunikuar në distancë:

“O profesor, këtë arbitrin e keni sjellë për të prish ndeshjen, apo që ta mbajë drejt”. -Ish-trajneri Starova e ka ndjekur ndeshjen në tribunën VIP, pranë presidentit Demi dhe ishpresidentit Sallaku. “Bobi” është dukur i paduruar dje, pasi ai dhe pjesa dërrmuese nuk arritën ta kuptonin aneminë e disa lojtarëve, kryesisht të repartit mbrojtës.

Kështu që, në disa raste, Starova ka bërtitur nga tribuna duke u tërhequr vëmendjen lojtarëve, kryesisht Fejzullahut, Krasniqit dhe më pas Ibrahimit.

-Arbnor Fejzullahu nuk e ka pritur mirë ndërrimin dhe, pasi doli nga fusha, nuk iku në pankinë, por mori drejtimin nga dhomat e zhveshjes. Ndërsa tifozët nuk e kanë pritur mirë ndërrimin e Torasës. “O Dalip (zv.trajneri), keni luajt mendsh, çfarë ndërrimi bëni more?!”, kështu iu drejtuan tifozët zv.trajnerit të Partizanit./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: