Situata është tensionuar përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të efektivëve të policisë dhe godinës së Parlamentit, gjatë ditës së 13-të të revoltës studentore kundër qeverisë së Edi Ramës.
Si pasojë e goditjeve me gurë, janë thyer disa xhama në katin e parë të godinës së Kuvendit, ndërsa forcat e rendit ndodhen në terren për të monitoruar situatën.
Ndërkohë, autoboti i ujit është vendosur në gatishmëri për një ndërhyrje të mundshme në rast se tensionet përshkallëzohen.
Protesta e sotme zhvillohet në një klimë të tensionuar pas përplasjeve të një dite më parë mes demonstruesve dhe policisë, gjatë të cilave u plagos rëndë në sy 28-vjeçari Erjon Vishkulli.
I riu është dërguar në Itali për trajtim të specializuar mjekësor, ndërsa plagosja e tij ka shkaktuar reagime të shumta nga studentët dhe qytetarët.
Ndërkohë, protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa kundërshtojnë edhe masat e reja ligjore të paralajmëruara nga qeveria për tubimet e dhunshme.
Situata përpara Kuvendit mbetet në zhvillim, ndërsa ende nuk ka informacion për persona të lënduar nga incidentet e fundit apo për ndonjë ndërhyrje të autobotit të ujit.
