Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin zhvilluan një bisedë telefonike ditën e sotme.
Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës Turke tha se të dy liderët diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale dhe globale, ndërsa Kremlini tha se ata biseduan për bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik së bashku me një sërë temash ndërkombëtare.
Erdogan i tha Putinit se ata synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin në shumë fusha, kryesisht zgjerimin e vëllimit të tregtisë dypalëshe. Erdogan pohoi gjithashtu se vendi i tij po punon për t’i dhënë fund tensioneve rajonale dhe do të mbetet i palëkundur në kontributin në proceset e paqes.
Dy presidentët u takuan për herë të fundit personalisht muajin e kaluar në Kazan gjatë një samiti të BRICS.
Erdogan dhe Putin kanë qenë në kontakt në kulmin e konfliktit Rusi-Ukrainë, i cili duket se po hyn në një fazë të re me mbështetjen e përshkallëzuar perëndimore për Ukrainën dhe miratimin e Putinit të doktrinës së re bërthamore të Rusisë.