Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar sot informacione, Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismailit në lidhje me sistemin e sigurisë në burgje.


Burimet konfirmojnë për “BalkanWeb” se kjo kërkesë e Presidentit vjen në një kohë, të cilën ai e vlerëson si tepër të tensionuar.


Kreu i Shtetit kërkon ndër të tjera të merren të gjitha masat për një siguri sa më maksimale në burgjet e vendit.


Kujtojmë që prej dy ditësh ka pasur tensione dhe përplasje mes Policisë së Shtetit dhe asaj Bashkiake në disa qytete ku Bashkitë drejtohen nga e djathta.

Me urdhër të kryebashkiakëve të djathtë, policët bashkiakë nuk lejojnë futjen e materialeve zgjedhore në KZAZ-të e ngritura për zgjedhejt e 30 qershorit, duke zbatuar kështu dekretin e Presidentit Meta për anulimin e 30 qershorit si datën e zgjedhjeve vendore.

Nga ana tjetër Policia e Shtetit është vënë në ruajtje të materialeve zgjedhore dhe është e gatshme të mos i lëvizë ato që aty, duke zbatuar kështu vendimin e KQZ-së për të mos e njohur dekretin e Presidentit dhe vijimin e përgatitjeve për zgjedhjet, të cilat siç qeveria pretendon, duhet të mbahen më 30 Qershor, që të jenë në frymën e Kushtetutës.

Policët bashkiakë mbështeten nga ana tjetër edhe nga simpatizantë e përfaqësues të opozitës, të cilët mbrëmjen e djeshme i vunë flakën një KZAZ-je të ngritur në Shkodër, ku u dogjën materialet zgjedhore. E njëjta situatë është paraqitur edhe sot në Burrel.

(m.a/BalkanWeb)

Etiketa: