Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, Nenad Gjuriç, i pezulluar sot për mos zbatim të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale, ka një histori të gjatë pezullimesh nga Policia e Kosovës.

Ai ishte pezulluar edhe më parë për mos zbatimit të urdhrave dhe lidhjeve të tij me krimin e organizuar në veri të Kosovës, përfshirë edhe me personat të sanksionuar nga SHBA, si Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç.

Media Kosovare telegrafi, raporton se Gjuriç njihej edhe për afërsinë me partinë politike serbe pro-ruse DSS.

Komandanti i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës Veriore Nenad Gjuriç, i njohur me pseudonimin “Gjuro”, ka qenë pjesë e MUP-it serb në Zveçan, ku ka vepruar si operativ i kësaj strukture ilegale.

Ai ka qenë i dëbuar nga Akademia Policore e Serbisë për shkak se ka dështuar në testin psikik për disa herë me radhë.

Në fillim të vitit 1999, ai ka qenë i angazhuar si pjesë rezervë e SUP-it (Sekretariatit të Punëve të Brendshme) të atëhershëm serb në Mitrovicë dhe ka figuruar në listat e pagave deri në vitin 2001.

Gjatë vitit 2000 Gjuriç iu bashkua grupit ekstremist “Rojat e Urës”. Pas emërimit të tij si Komandant i Stacionit të Policisë së Kosovës në Zveçan, ai ishte përfshirë në veprime kriminale duke pranuar ryshfet nga kontrabandistët e naftës.

I njëjti kishte qenë i përfshirë edhe në përcjellën e cisternave të Zvonko Veselinoviç, i sanksionuar nga SHBA për shkak të aktiviteteve kriminale.

Nuk është hera e parë që Gjuriç është shkarkuar nga postet udhëheqëse në Policinë e Kosovës, pasi më parë ai është shkarkuar nga posti e komandantit për shkak të refuzimit të urdhrave nga vijat komanduese në Policinë e Kosovës. Pas suspendimit, këtij i është dhënë vendimi për fillimin e punës në MUP-in serb në Zveçan.

Pas këtij shkarkimi, Gjuriç ka përfituar një banesë nga komuna ilegale e Mitrovicës së Veriut. Gjatë kësaj kohe ai ishte anëtarë aktiv i Partisë së Re Demokratike të Serbisë (DSS) të Vojisllav Koshtunica, kryetar i së cilës për Mitrovicën Veriore ishte Marko Jakshiç, i njohur për lidhjet dhe qëndrimet e tij pro-ruse.

Pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë për integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës, Nenad Gjuriç ishte emëruar Komandant i Stacionit Policor të Zveçanit, ndërsa përsëri ishte suspenduar në vitin 2013 për mosveprim në urdhrin për largimin e Aleksandar Vulinit nga veriu i Kosovës, kur ky i fundit po qëndronte pa leje të organeve kompetente të Republikës së Kosovës.

Në institucionet e sigurisë, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e Gjuriç me strukturat kriminale serbe dhe mos pengimin e aktiviteteve të krimit të organizuar në veri të Kosovës, para vitit 2017, Milan Radoiçiç i kishte ndërtuar Gjuriçit një vilë afër Liqenit të Ujmanit, në pjesën që është në territorin e Serbisë. Ndërsa Zvonko Veselinoviç i kishte dhuruar atij një automjet të tipit “Peugeot 406” dhe i kishte paguar pushimet verore në Budva të Mal të Zi, në vlerë rreth 6.200 puro.

Në vitin 2019, Gjuriç kishte marrë urdhër nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, që në çdo mënyrë të mundësojë dhe lehtësojnë kontrabandimin me mallra nga Serbia për në Kosovë.

Gjatë gjithë kohës derisa Nenad Gjuriç ishte në pozita udhëheqëse në Policinë e Kosovës, ai ishte i shantazhuar nga Milan Radoiçiç dhe ishte duke bashkëpunuar me shërbimin sekret serb BIA.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb