Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan zhvilloi të premten një takim në Ankara me senatorin amerikan Lindsey Graham, në një përpjekje të fundit për të shuar tensionet lidhur me Sirinë shkruan voa. Forcat turke vazhdojnë të jenë të përhapura në kufirin verilindor sirian, të gatshme për të nisur një ofensivë kundër milicisë kurde YPG, një aleat kyç i SHBA në luftën kundër Shtetit Islamik. Ankaraja e konsideron YPG-në një grupim terrorist të lidhur me një lëvizje për kryengritje brenda Turqisë.

Dallimet mbi Sirinë bënë që presidenti Erdogan të shmangë takimin me këshilltarin amerikan për Sigurinë Kombëtare Xhon Bolton më parë gjatë këtij muaji kur ai vizitoi Ankaranë. Zoti Graham u takua jo vetëm me zotin Erdogan, por dhe me zyrtarë të mbrojtjes, ministrin e jashtëm dhe shefin e zbulimit.

“Në takimin me senatorin amerikan Lindsey Graham diskutuam mbi zhvillimet e fundit në Siri dhe mbi marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë dhe SHBA-së,” shkruante në një postim në internet ministri i jashtëm turk Mevlut Çavusoglu.

Në një komentet të tij përpara vizitës zoti Graham shprehej:

“Unë kam argumentuar gjatë se ka elementë mes kurdëve të Sirisë që përfaqësojnë një kërcënim legjitim për sigurinë kombëtare të Turqisë. Shqetësimi i Turqisë në lidhje me elementët e YPG-së duhet të trajtohet në mënyrën e duhur për të siguruar që kufijtë e Turqisë të jenë të sigurta dhe të mbrojtura nga çdo kërcënim”.

Ky është takimi i dytë i senatorit Graham me presidentin Erdogan brenda gjashtë muajve. Zoti Graham është anëtar i tre komisioneve të rëndësishëm të Senatit ndër to komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë. Sipas analistëve marrëdhënia e senatorit me Presidentin e SHBA-së Donald Trump shpjegon dhe pritjen e ngrohtë që iu bë atij në Ankara.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: