Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka anuluar një takim të planifikuar me presidentin rus Vladimir Putin,  i cili do të mbahej në Samitin e G20 në Buenos Aires të shtunën.


Anulimi i takimit u njoftua nga vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump. Sipas mediave amerikane, anulimi i këtij takimi të parashikuar për të shtunën  në Argjentinë është bërë nga  tensioni i ndezur mes Rusisë dhe Ukrainës.


Trump kishte dyshuar më parë nëse takimi do të zhvillohej, ndërsa në një prononcim për “Washington Post” një ditë  më parë, shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se gjithçka mund të anulohet, duke cituar si shkak tensionet e anijeve luftarake mes Rusisë dhe Ukrainës.


Tre anije të Marinës së Ukrainës u kapën nga Rusia duke u përpjekur të kalonin të dielën midis Detit të Zi dhe Detit Azov. Ndërsa Kievi tha se e kishte njoftuar Rusinë për kalimin, ndërsa  Moska zyrtare theksoi se nuk e kishte marrë një informacion të tillë.

“Duke pasur parasysh faktin se anijet dhe marinarët nuk u kthyen në Ukrainë nga Rusia, vendosa që të ishte më mirë për të gjithë palët e përfshira që të anulonin takimin e planifikuar në Argjentinë me presidentin Vladimir Putin. Pres me kënaqësi një samit të rëndësishëm sapo të zgjidhet kjo situatë!”, shkroi Trump në Twitter.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb