LEZHË

Një person është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga policia e Mirditës me akuzën për kultivim të bimëve narkotike.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve, në fshatin Lufaj, Mirditë, është konstatuar në tentativë për të kultivuar bimë narkotike shtetasi Luan Uka, i cili është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë. Gjithashtu është shpallur në kërkim policor djali i tij, shtetasi Përparim Uka, banues në Lufaj, Mirditë.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e tyre u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri automatik dhe municion luftarak.

Gjithashtu, shtetasi Përparim Uka, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, më datë 23.04.2021, ka plagosur me qytën e armës shtetasin B. M., 23 vjeç, banues në Kurbin.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për shtetasin L. U., dhe “Plagosje e lehtë me dashje”, ‘Kanosja”, ”Armëmbajtja pa leje” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” për shtetasin P. U.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: