DURRËS
Fshehu në shtresën e shasisë së furgonit që drejtonte, 31 120 paunde (burimi i parave, i dyshimtë), për t’i futur në Shqipëri, pa i deklaruar, arrestohet 32-vjeçari.
Në këtë automjet u gjetën dhe veshje, vegla pune dhe pajisje elektroshtëpiake, të dyshuara të kontrabanduara.
Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të Shqipërisë, me qëllim garantimin e qarkullimit të ligjshëm dhe të sigurtë të shtetasve dhe mallrave, Seksioni i Hetimit dhe ZMPKT Durrës, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, finalizuan operacionin policor të koduar “Checked”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll më të detajuar, furgoni që drejtonte 32-vjeçari. Nga kontrollet, në këtë automjet janë gjetur të fshehura në shtresën e shasisë, nën sediljen e drejtuesit, 31 120 paunde. Gjithashtu, në furgon janë gjetur veshje, vegla pune dhe pajisje elektroshtëpiake. Paratë, të cilat kanë burim të dyshimtë, shtetasi A. K. synonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar, ndërsa mallrat dyshohet se janë të kontrabanduara, sepse nuk ishin të shoqëruara me fatura blerjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.