Tentoi të fuste në Shqipëri 30 000 euro të padeklaruar, e pëson 44-vjeçari.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet M. A., i cili tentoi që të fuste nga porti i Vlorës shumën e madhe të eurove.
NJOFTIMI I POLICISE
Tentoi të fuste në Shqipëri, 30 000 euro, pa i deklaruar, procedohet penalisht 44-vjeçari. Sekuestrohet shuma e eurove. Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Vlorës, në bashkëpunim me autoritetet doganore, me objektiv parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në hyrje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjeti tip “Toyota”, me drejtues shtetasin M. A..
Nga kontrollet, në kroskotin e këtij automjeti u gjetën 30 000 euro, të cilat shtetasi M. A. tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. A., 44 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e parave. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)