Ngjarja tragjike që ndodhi në korrik të këtij viti, ku një 27-vjeçare tentoi të hidhej në lumin Buna me katër fëmijët e mitur, tronditi opinionin publik. Rasti u parandalua nga patrulla e policisë, duke shpëtuar 27-vjeçaren dhe fëmijët.
Së fundmi, disa ditë më pas, bashkëshorti i saj denoncoi rastin në emisionin “Me Zemër të Hapur”, duke akuzuar familjarët e gruas, vjehrrin dhe vjehrrën.
Nga ana tjetër, familjarët e 27-vjeçares akuzuan dhëndrin për dhunë sistematike dhe tradhti, duke thënë se e kishte lënë pa ushqim dhe mbështetje.
Redaksia e emisionit zhvilloi një bisedë të gjatë me 27-vjeçaren, e cila për herë të parë ndau historinë e saj të dhunës brutale dhe frikës nga bashkëshorti, i cili vazhdon t’i krijojë situata të rrezikshme.
27-vjeçarja nga Shkodra u shpreh se ajo u nxit drejt aktit ekstrem që fatmirësisht u parandalua, se bashkëshorti i saj ka dhunuar të katër fëmijët e saj.
“Kur i kujtoj këto gjëra nuk ndihem aspak mirë. Fëmijët nuk janë me mua. Kur unë shkoja në punë dhe më pas kthehesha fëmijët më tregonin se babai i kishte dhunuar. Të katërt më thonin të njëjtën gjë. Më ka thënë se do përgjigjet për fëmijët tanë dhe se do bënte çdo gjë për ta. Unë e di se çfarë kam hequr me të, jam kthyer për fëmijët. I thashë djalit se nuk kthehem më me të. Më ka dalë te lulishtja e qytetit dhe më kërkoi të sqaroheshim”, tregoi ajo mes të tjerash.
(BalkanWeb)