Policia Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Morinës ka vënë në pranga një 48-vjeçar të shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

I arrestuari është shtetasi A. H., 48 vjeç, i cili u ndalua teksa tentonte të hynte në territorin shqiptar.

Nga verifikimet rezultoi se A. H. ishte i shpallur në kërkim nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Hetimet ndaj tij nisën në maj 2024, kur gjatë një kontrolli në banesën e tij në Tiranë, u gjetën një sasi kokaine dhe municion luftarak.

Veprimet e mëtejshme procedurale ndaj të arrestuarit po kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb