TIRANË- 25-vjeçari Henri Talo nga Laçi që është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës e cila e akuzon se ka tentuar të përdhunonte një 22-vjeçare dje në “Rrugën e Kavajës, rezulton i dënuar me 3 vite burg.

Talo është emër i njohur për policinë dhe drejtësinë pasi është dënuar me 3 vite burg nga Gjykata e Tiranës në janar të këtij viti pasi bashkë me një të ri tjetër po nga Laçi, pasi sipas prokurorisë morën peng për disa orë dy studente, raporton BalkanWeb.

Dy djemtë janë cilësuar fajtorë nga gjykata për akuzën e “Heqjes së paligjshme të lirisë”. Ngjarja për të cilën akuzohen Talo dhe shoku i tij ka ndodhur në prill të 2015-ës, ku dy djemtë, sipas organit te akuzes pasi kanë pasur marrëdhënie intime me studentet, të cilat kishin refuzuar ta vijonin më tej lidhjen, kanë tentuar t’i marrin peng, me sa duket me qëllimin që të vazhdonin sërish së bashku. “Gazeta Shqiptare” zbardhi në atë kohë detaje nga ngjarja dhe dosja e prokurorisë. Nuk dihet nëse Talo e ka kryer dënimin apo ka fituar ndonjë amnisti që ndodhej sërish i lirë, ku dje sipas policisë ka tentuar të përdhunojë një 22-vjecare, bashkë me 26-vjeçarin Armonel Bruka.

LIDHJA ME STUDENTET
“Dy studentet nga rrethe të ndryshme të vendit banonin së bashku në një banesë të marrë me qira në kryeqytet. Të dyja vajzat janë paraqitur në prill 2015 në polici, duke denoncuar dy djemtë, P… dhe Talo.

Vajzat kanë rrëfyer se prej disa kohësh njiheshin me dy të pandehurit. Pasi janë takuar të katërt në qytetin e Tiranës dhe kanë frekuentuar disa lokale, ata janë nisur, me kërkesën e të pandehurve, për në qytetin e Laçit.

Kur kanë arritur në atë qytet, kanë hyrë në një ambient dhe kanë nisur të pinë pije të ndryshme.
Aty ka ardhur edhe një shtetas që quhej Sokol, dhe pasi kanë ndenjur për disa kohë, rreth orës 2:00 janë nisur për në Tiranë. Rrugës janë ndalur te hotel “X…”, i cili ndodhet në Vorë, dhe kanë zbritur nga makina, ku kanë marrë dy dhoma. Në një dhomë ka hyrë i pandehuri E. P. me K.L., dhe në dhomën tjetër ka hyrë i pandehuri Henri Talo me R.Sh.

Gjatë qëndrimit aty, i pandehuri E. P. ka kryer marrëdhënie seksuale me K.L., pa kryer veprime të dhunshme ndaj saj. Edhe i pandehuri Henri Talo ka kryer marrëdhënie seksuale me shtetasen R.Sh., si dhe ka kryer veprime të dhunshme ndaj saj. Më pas të pandehurit kanë dalë dhe kanë shoqëruar vajzat për në banesën e tyre.

Vajzat u thanë hetuesve se ngjarja e mësipërme ndodhi jashtë dëshirës së tyre. Ata pretendojnë se janë larguar prej tyre, duke mos u takuar me ta, dhe njëkohësisht duke mos e kallëzuar ngjarjen, për shkak të ndrojtjes, opinionit si edhe frikës që kishin prej të pandehurve.

MARRJA PENG
Ndonëse K.L. dhe R.Sh. kanë qenë të larguara prej kohësh prej të pandehurve, ato më datë 8 prill 2015, janë ndodhur përsëri në shoqërinë e tyre në rrethanat e mëposhtme. Kështu, në këtë datë, të dyja kanë qenë në orët e mbrëmjes në lokal “T…” në Tiranë kur K.L. e ka marrë në telefon një person, me të cilin njihej më parë, dhe së bashku me të, pas pak kohe janë nisur për të shkuar në një lokal tjetër.

Te vendi i quajtur “Zogu i Zi”, kur ato ishin së bashku me këtë person, në mjetin me targë AA 030 CV, i cili drejtohej nga i njohur, në një moment mjeti ka ndaluar, dhe aty ka hyrë pa dijeninë dhe dëshirën e studenteve, i pandehuri Henri Talo, i cili ka marrë drejtimin e mjetit. Ndërsa, i pandehuri E. P. është ulur në vendin e parë të pasagjerit.

Në këtë moment, K.L. dhe R.Sh., tashmë me mbërritjen e dy të pandehurve qëndronin në atë mjet jashtë dëshirës së tyre. Ato kanë tentuar të dalin nga makina dhe të largohen, por ka qenë e pamundur, pasi dyert ishin të mbyllura dhe mjeti është nisur. Pasi janë nisur në drejtim të Rinasit, gjatë rrugës dy vajzat kanë debatuar me të pandehurit dhe kanë kërkuar të ndalojë mjeti dhe të zbresin prej tij.

Duke u ndodhur në kushtet e pamundësisë për t’u larguar dhe të gjendura në kushtet e heqjes së lirisë, studentet, në momentin që kanë qenë në afërsi të QTU-së, duke qenë se në rrugë ndodhej një patrullë policie, kanë kërkuar ndihmën e uniformave blu, me pretendimin se ato po merreshin pa dëshirën e tyre prej të pandehurve E. P. dhe Henri Talo, të cilët i kishin kanosur dhe kishin mbyllur edhe dyert e makinës. Në mjet me to ka qenë edhe i njohur S. K.

Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor nr. 377, datë 14.04.2015, për ekzaminimin e K.L., ka rezultuar se “në trupin e K.L., u konstatuan dy vrahje (cikatrice) në parakrahun e majtë, të cilat janë karakteristike për dëmtimet e shkaktuara nga djegia me cigare. K.L. është e defloruar e vjetër”.

Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor nr. 376, datë 14.04.2015, për ekzaminimin e R.Sh., rezulton se “në trupin e shtetases R.Sh. nuk u konstatuan dëmtime trupore. R.Sh. është e defloruar e vjetër”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb