DURRËS- Një konflikt me armë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e “Shkëmbit të Kavajës” në Durrës, por fatmirësisht ngjarja ka përfunduar pa të lënduar. Ngjarja ka ndodhur pranë një hoteli në këtë zonë, teksa Arben Drazhi, 44 vjeç, banues në Durrës, ka tentuar të vrasë me armë zjarri 21-vjeçarin me inicialet A.B, banues në Shënavlash Durrës.

Dyshohet se në konflikt janë përfshirë disa persona, të cilët janë përplasur fillimisht fizikisht e më pas kanë qëlluar me armë.

Policia e Durrësit në vendin e ngjarjes, fillimisht ka bërë shoqërimin e 5 personave të përfshirë në konflikt, si dhe është marrë në pyetje edhe pronari i hotelit. Ndërsa mëngjesin e sotëm uniformat blu të Durrësit kanë arrestuar Arben Drazhin.

Ngjarja ka krijuar panik të madh tek pushuesit, të cilët kanë qenë të shumtë në këtë orë.

Nga kqyrja e mjetit BMV me targë AA325MB në pronësi të shtetasit A.B. janë konstatuar disa dëmtime me armë zjarri.

Në cilësinë e provës materiale në vendngjarje janë gjetur dhe sekestruar:

•një gëzhojë kalibër 9 mm,
•një predhë kalibër 9 mm e deformuar,
•një pistolete kalibër 9 mm dhe
•një krëhër me 9 fishekë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se edhe shtetasi A.B. ka qëlluar në drejtim të lokalit, dhe për këtë arsye është bërë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga nenet 76,22 e 278/4 të Kodit Penal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb