GJIROKASTËR- Policia e Gjirokastrës ka goditur një tjetër rast të trafikut të drogës, duke sekuestruar rreth 1.5 kg heroinë dhe vënë në pranga një 37-vjeçar nga Fieri.

Sipas të dhënave zyrtare, ditën e djeshme shtetasi Elton Ferko është paraqitur në dalje të Republikës së Shqipërisë për të udhëtuar drejt Greqisë me autobusin e linjës Tiranë – Athinë.

Pas procedurave të kryera në sistemin TIMS nga punonjësit e policisë Kufitare Kakavije, autobusi është kaluar në vijën e dytë për një kontroll më të imtësishëm.

Nga kontrolli fizik i ushtruar nga punonjësit e Policisë Kufitare shtetasit të mësipërm iu gjetën dy pako në trup dhe një pako në çantën e dorës me lëndë të dyshuar narkotike Heroinë. Pesha totale e lëndës narkotike rezultoi 1 kilogramë e 520 gramë,  e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Pas veprimeve të para hetimore, Specialistët e seksionit për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P Gjirokastër arrestuan në flagrancë 37-vjeçarin Elton Ferko, banues në Fier.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb