LIBRAZHD- Një 21-vjeçar është plagosur me thikë gjatë tentativës për të mbrojtur shtëpinë e fqinjit të tij nga hajduti. Mësohet se 17-vjeçari J.GJ., me banim në fshatin Shijon, të qytetit të Elbasanit, ka tentuar të hyjë në banesën e 51-vjeçarit Sh.K., në orët e vona të një nate më parë por është zbuluar nga familjarët të cilët njoftuan fqinjin e tyre A.ZH. si edhe policinë.

Gjatë përpjekjes për t’u larguar, autori ka goditur me thikë në gjoks fqinjin 21-vjeçar, i cili u  dërgua menjëherë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mbërritja në kohë e efektivave të policisë, ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj ngjarje duke  prangosur autorin e krimit brenda në banesë. Policia bëri të mundur edhe sekuestrimin e thikës me të cilën autori i vjedhjes kishte hyrë në banesë si edhe një çantë që mendohet se e kishte marrë për të futur sendet që do të vidhte. Materialet në ngarkim të 17-vjeçarit i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprën penale  “plagosje e rëndë me dashje” si edhe “vjedhje e mbetur në tentativë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb