TEPELENË- Një prej personave të arrestuar në Lazarat një vit më parë gjatë operacionit antikanabis, ka tentuar t’i japë fund jetës. Bëhet fjalë për Edmond Bocin, i cili ka shpëtuar nga vdekja falë ndërhyrjes në kohë nga mjekët e Burgut të Bënçës ku vuan dënimin, si dhe ndërhyrja në kohë e mjekëve kirurgë të Spitalit Rajonal të Gjirokastrës.

39-­vjecari Boci, sipas drejtorit të Institucionit të Riedukimit të Sigurisë së Lartë në Bënçe, Avni Sulaj, prej ditësh kishte shfaqur tendenca të qarta për kryerjen e një akti të tillë në dëm të tij. Për gazetën “Panorama”, kreu i Burgut të Bënçes shprehet se ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në orët e drekës ku burgu kishte rënë në qetësinë e orëve të pikut të drekës. Edmond Boci, prej tre ditësh ndodhej në gjendje depresive duke shfaqur veprime jo normale ndërkohë që në orën 15:00 të së dielës, në paradhomën e qelisë pranë tualetit, përdori briskun e rrojës duke dëmtuar veten në pjesën e qafës.

Sipas mjekut të burgut, Edmond Boci, pasi përgatiti terrenin të ishte i vetëm në paradhomë pa prezencën e askujt, hoqi briskun nga makina e rrojës dhe e përdori atë në zonën e qafës ndërkohë që u pa në moment nga një gardian i cili dha alarmin sapo pa rrjedhjen e gjakut në dysheme duke shkaktuar hemorragji të madhe.

Menjëherë atij i është dhënë ndihma primare në klinikën shëndetësore të Burgut të Bënçës e më pas është përcjellë me urgjencë për në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës ku ka qëndruar për 8 orë nën vrojtimin e rreptë të mjekëve kirurgë.

Pasi ka kaluar rrezikun me ndalimin e hemorragjisë së shkaktuar nga prerja me brisk, atij i është mbyllur arteria e qarkullimit të gjakut në pjesën e prapme të qafës ndërkohë që për siguri më të madhe, u dërgua në kryeqytet.

Sipas drejtorit të Burgut të Bënçës, ngjarja ka ndodhur gjatë një momenti kur Edmond Boci ishte duke vështruar një program televiziv në televizorin që ia kishin prurë kohë më parë familjarët e tij, në qelinë ku vuan dënimin.

Boci është arrestuar qershorin e vitit të kaluar nga Policia e Shtetit në operacionin antikanabis në Lazarat. Mbi të rëndon vepra penale e kultivimit dhe prodhimit të bimëve narkotike. Krahas tij, në Bënçe, vuajnë dënimin edhe 8 bashkëfshatarë të tij me po të njëjtën akuzë.

 

(m.k/Panorama/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: