TIRANE-Dy të rinj shqiptarë kanë gjetur vdekjen teksa tentonin të kalonin ilegalisht kufirin me qëllim emigrimin në Angli.

Viktimat janë Erinda Kaçorri 22 vjeç dhe Rexhë Myzyraj. Vajza ishte nisur ilegalisht për tu bashkuar me bashkëshortin e saj, që ndodhej në Angli. Ajo shoqërohej në këtë udhëtim ferri nga djali i dajës së burrit të saj, Rexhë Mynzyraj.

Mësohet se të rinjtë janë shkrumbuar nga flakët e zjarrit që shpërtheu në kamionin ku ata ishin fshehur rreth orës 19:30 të mbrëmjes së të mërkurës.

Nga pozicioni që janë gjetur trupat tregon se ata janë përpjekur të dalin nga kamioni në momentin kur ka rënë zjarri, por ka qenë e pamundur. Trupat e viktimave, janë gjetur terësisht të karbonizuar.

Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, kamioni drejtohej nga një shtetas polak dhe ishte nisur nga Polonia, ndërsa u përfshi nga flakët në terminalin e trageteve pranë Dunkirk.
Policia franceze ka bërë ndalimin e drejtuesit të kamionit. Teksa është marrë në pyetje nga Prokuroria, ai ka mohuar të ketë pasur dijeni se në pjesën e pasme të mjetit që drejtonte kishte emigrantë.
Mediat raportojnë gjithashtu se dyshohet që është shkaktuar nga një cigare e hedhur nga viktimat, që më pas ka djegur edhe pëlhurën që mbulonte pjesën e pasme të kamionit, ku ishin fshehur.

Shumë shqiptarë kanë zgjedhur mënyrat e emigrimit klandestin pasi Britania është një ndër shtetet e Bashkimit Europian që nuk pranon liberalizmin e vizave për vende që nuk janë përfshirë ende në këtë Union. Ndërsa marrja e një vize në ambasadën britanike ka në përmbajtje procedura gati të pamundura të realizohen nga shqiptarët.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: