TEPELENE – Të jetosh nën shoqërinë e minjve dhe me erën e mykut është çdo ditë ferri për të moshuarin Faik Boza në Tepelenë. Lufta për mbijetesë është kryefjala e jetës së tij.

Të përjetosh ankth dhe të mos gjendet dikush pranë për të dhënë një ndihmë, të hash ushqimin dhe të ndjesh neveri ndaj tij, të heqësh të zitë e ullirit dhe të jetosh i dërrmuar dhe i brengosur gjithë jetën, janë brengat më të mëdha të këtij të moshuari, të cilin jeta e sprovon çdo ditë.

Në kushte të tilla, i detyruar të pranojë varfërinë një zgjidhje për të siguruar bukën e gojës janë hekurishtet që ai mbledh duke u endur nëpër rrugët e qytetit. Bashkia e Tepelenës i jep vetëm dyqind e pesëdhjetë lekë të reja, me të cilat i shtyn 10 ditë.

“Me 2500 lekë të vjetra që më jepen. Ato janë për 10 ditë, pastaj ku të gjej ndonjë hekurishte, ndonjë gjë kur gjej. Më shumë sëmurem dhe nga pangrënia. Ushqime nuk kam.”- thotë Faiku.

Te mjerueshme janë ambientet ku Faiku ngrys netët e tij. Dikur zyra për Pyjoren, sot ai i ka kthyer në një banesë ku nuk ka as ujë, e as drita. Në dhomën e cila është e tejmbushur nga lagështia, pa dyer e dritare, të vetmet orendi janë një krevat e një varëse rrobash të falura nga zemërgjerësia e fqinjëve.

“Eshtë shumë e vështirë, por s’kemi ç’të bëjmë.”- thotë i moshuari.

Përveç ditëve që duhet të kalojë pa ngrënë, për shkak të moshës Faiku vuan nga reumatizma, por që nuk mund të kurohet për shkak mungesës së parave. Në kushte të tejskajshme të mjerimit i moshuari bën apel për ndihmë.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: