Memorie.al publikon një dokument arkivor të sigluar “Tepër sekret” që i përket datës 27 tetor të vitit 1982, ku sekretarja e parë e Komitetit të Partisë së rrethit të Beratit, Mine Guri, informon Komitetin Qëndror të PPSH-së lidhur me disa kuadro të Sigurimit të Shtetit si: Refat Nenaj, Besnik Cani, Nuri Brahimi, Miti Shyti, Halim Velçani, Merdar Hasa, Tahir Çobani, Petraq Rrushi, Seit Zeqiri, Ligor Divjaka, Kudret Çollaku, Rustem Çipi, Janaq Lila, Skënder Lika, Haki Shehu, Ramazan Muka, Sokrat Bitri, Koço Eftimi, etj, duke i akuzuar ata për akte imoraliteti, veprimtari armiqësore, agjentë të zbulimeve të huaja, shpërdorim detyre, abuzime, përvetësime, fshehje të biografisë, shfaqje nepotizmi, etj., etj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Vetëm pak kohë pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981, kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit në rrethana misterioze të cilat vazhdojnë të diskutohen edhe sot, në të gjitha organizatat bazë dhe Komitetet e Partisë të rretheve në mbarë vendin u mbajtën mbledhje të gjata, ku diskutohej “nën frymën e Plenumit V të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe fjalës së shokut Enver Hoxha mbi tablonë sinoptike për armikun e poliagjentin Mehmet Shehu”. Në të gjitha këto mbledhje, siç bëhet e ditur edhe në një numër të madh dosjesh me siglën “tepër sekret” që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, diskutantë të shumtë që e kanë marrë fjalën aty kanë hedhur lloj-lloj akuzash, të vërteta dhe gjysmë të vërteta, me shpifje, trillime, sajesa e thashetheme, e gjithçka që u ka ardhur për shtat. Të gjitha këto në drejtim të ish-kryeministrit tashmë të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që konsideroheshin bashkëpunëtorë të tyre, duke përmendur me emra me dhjetëra ushtarakë dhe kuadro të lartë, nga qendra deri në bazë. Po kështu, këto mbledhje u intensifikuan së tepërmi dhe morën një hov të madh sidomos pas tetorit të atij viti (1982), kur u arrestua dhe ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu (i cili për gati tri dekada me radhë kishte mbajtur postin e ministrit të Brendshëm), si dhe Feçorr Shehu, ministri i Brendshëm në detyrë Ashtu si dhe ndaj Mehmet Shehut, edhe ndaj Hazbiut e Feçorr Shehut u përsërit e njëjta tablo. Dhe pas përfundimit të këtyre mbledhjeve, sekretarët e organizatave bazë, Sekretarët e parë të Komiteteve të Partisë të rretheve, apo të deleguarit nga Komiteti Qendror që asistuan në ato mbledhje, kanë hartuar raport-informacionet përkatëse dhe ato i kanë dërguar në Komitetin Qendror të PPSH-së, ku ato janë parë personalisht nga vetë Enver Hoxha. Në këto kontekst të zhvillimit të ngjarjeve të asaj kohe, është mbajtur edhe një mbledhje në organizatën bazë e Komitetin e Partisë të Degës së Punëve të Brendshme në Berat, si dhe Gjykatës e Prokurorisë së atij rrethi, ku ka asistuar vetë sekretarja e parë e rrethit, Mine Guri. Gjë e cila bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që përmban raport-informacioni i bërë me këtë rast prej saj (me siglën ‘tepër sekret’), ku ajo ka përmbledhur disa prej ‘çështjeve kryesore’ që kanë dalë dhe janë diskutuar aty. Dhe ku shihet qartë se gjithçka ka pasur vetëm një qëllim, atë të përbaltjes, denigrimit e demaskimit të personave që përfliteshin aty, duke i akuzuar ata kryesisht për imoralitet, fshehje të biografive, e lloj-lloj absurditetesh. Por që në fakt nënkuptonte dhe përgatiste terrenin për t’i akuzuar ata më pas si bashkëpunëtorë të ish-shefave të tyre, Feçorr Shehu, Kadri Hazbiu dhe Mehmet Shehu. Dokumentin në fjalë po e publikojmë me shkurtime (duke hequr vetëm pjesët propagandistike) dhe me emrat e plotë të të akuzuarve, jo me qëllim denigrimi, por për të kuptuar (kryesisht brezi i ri që nuk e ka jetuar atë kohë), se si funksiononte ai regjim i Shqipërisë komuniste i para viteve ’90-të, ku pas çdo “Grupi armiqësor” që godiste dhe eliminonte Enver Hoxha, goditeshin edhe një rreth i gjerë zyrtarësh të funksioneve të ndryshme si dhe të afërm të tyre, duke u akuzuar si bashkëpunëtorë të tyre. 

PARTIA E PUNES SHQIPERISE                                                     Tepër sekret

KOMITETI I PARTISE                                                                  Ekzemplar Nr. 1  

BERAT

Nr. 1114. Prot.                                                                           Berat më 27. X. 1982  

 

Lënda: Informacion: “Mbi punimin e materialeve të Pleniumit të 5- të të KQ të Partisë në organizatat e Partisë të Degës së Punëve të Brendëshme dhe të Gjykatës dhe Prokurorisë”.

                                         KOMITETIT QENDROR TE P. P. SHQIPERISE

                                                                                    TIRANE

   3. Mbi disa shkelje të ligjishmërisë

– Në politikën e goditjes armiqtë kanë dhënë porosi në kundërshtim me vijën e Partisë. Nga njera anë ata orjentonin ose trasmetonin porositë e Partisë për të shpëtuar ata që mund të shpëtoheshin, nga ana tjetër punën e degës ose të kuadrove e matnin dhe e vlerësonin nga numri i goditjeve që beheshin pavarësisht cilët ishin këta. Kështu zëvëndësshefi i hetuesisë Jake Tefiku, në diskutimin e vet tha: “Në disa raste, kur punoja në Shkodër,- edhe kur nuk ka qenë baza e nevojshme për goditje, Feçorr Shehu kërkonte të bëhej goditje dhe në raste të tjera kur nuk ekzistonte baza e nevojshme, ai kërkonte që të bëhej goditje, gjë që na çorientoi në punë”.

– Kadri Hazbiu e Feçorr Shehu kishin orjentuar që puna e kuadrove të vlersohej nga numri i goditjeve. Kjo ka sjellë si pasojë shkelje të ligjishëmrisë e të normave me kuadrot e bazës duke bërë provokime me anë të agjenturës dhe me denoncuesit me qëllim që të siguroheshin të dhëna për goditje.

– Feçorr Shehu kërkonte me insistim, që çdo person që merrej i pandehur, të dilte medoemos në gjyq. Kjo porosi megjithëse nuk është zbatuar, krijonte çoroditje tek rradhët e hetuesisë dhe rrezikun për shkeljen e ligjishmërisë nga ana e tyre.

– Në Përmet është pushuar akuza kundër të pandehurit Llambi Poçi, akuzuar për spiunazh në dobi të zbulimit grek, e cila provohej veç deponimeve të pandehurit edhe me prova të tjera. Ish drejtori i Sigurimit, Kadri Gojashi mori takim me të pandehurin dhe pasi dëgjoi pohimet e tij e kërcënoi duke i thënë: “A e di ti se ke plumbin ballit për këto që thua”?! më në fund ai dha porosinë që të pushohej akuza, sepse për këtë, sipas tij, ishin bërë verifikime të tjera dhe se ai nuk ishte në shërbim të zbulimit grek.

– Në disa krime kundër shtetit ka rezultuar që si dëshmitar të jetë I njëjti person. Kështu ka ndodhur që me dënimin e disa kosovarëve ka dal si dëshmitar disa herë kosovari Ram Gashi.

4.Mbi zbutjen e luftës së klasave

– Kur u arrestua dhe hetohej Kristo Budo, ndaj të cilit kishte dyshime serioze se ishte agjent i zbulimit grek, Feçorr Shehu ka urdhëruar që hetuesia të mos shtrihej në këtë drejtim, por të dënohej vetëm për agjitacion e propagandë.

– Rreth vitit 1979- 1980 Dega e P. të Brendëshme Skrapar ka filluar çështjen penale në ngarkim të ishoficerit Besim Dervishi, për shpifje ndaj punëtorit operativ Bajram Ciro, pasi në një letër drejtuar Kadri Hazbiut, Besimi i shkruante se babai i Bajramit ka qenë armik i popullit. Megjithëse ky fakt është i vërtetë, Feçorr Shehu ka insistuar për ta mbajtur Bajram Cirën në degë ku dhe është aktualisht. Bajrami ka dhe një vëlla oficer në Ushtrinë Popullore.

– Kadri Hazbiu në vitin 1959, ka qenë për darkë në shtëpinë e Ali Xhelos, i cili pas shtatë muajsh u arrestua dhe u dënua si agjent i grekëve.

– Kadri Hazbiu, kur shkonte për gjueti në Lezhë, mbante afër dhe shoqërohej me një gjuetar të quajtur Mark, për të cilin kishte material se ishte vënë në shërbim të zbulimit Italian dhe për këtë ai ishte në dijeni.

– Në postën e kufirit në Tushemisht në Pogradec, u kap një shelës kufiri nga jashtë brenda. Feçorr Shehu ka urdhëruar dhe ka kthyer shkelësin pa u hetuar nga organet tona.

– Një person nga Rrësheni, Gjin Doçi, është liruar nga burgu nga Kadri Hazbiu e Mihallaq Ziçishti pa u nxjerrë në gjyq.

– Kadri Hazbiu ka kundërshtuar sugjerimin e Kryetarit të Degës së Brendëshme të Shkodrës, për të dhënë dënime kapitale disa klerikëve me arsyetimin “se kush dëgjon pastaj këmbanat e Vatikanit për persekutimet fetare”.

– Gjatë procesit hetimor të Edip Ohrit (1980) ka dalë se disa aeroplanë të marrë nga BS qysh më parë, i janë dhënë nga qeveria jonë Kinës, duke marrë si shkëmbim avionë të tjerë të një cilësie të dobët. Grupi i hetimit ka përgatitur për këtë çështje një informacion për shokun Enver, por ky informacion pasi iu bënë disa ndryshime nga Feçorr Shehu, iu dorzua Mehmet Shehut. Ky i fundit ka vënë shënimin se “jam në dijeni për këtë” dhe ka urdhëruar që procesi hetimor për Edip Ohrin, të përfundonte sa më parë, pa u zgjeruar më tej.

– Kadri Hazbiu ka mbajtur lidhje me persona të dyshimtë si Novruz Gostnishti nga Përmeti, i cili ishte dënuar për vjedhje të pasurisë socialiste dhe ishte nip i kulakëve të Pagrisë dhe ish- eksponent i Ballit Kombëtar, Baba Kamberit. Këtij personi i ka shkuar dhe në shtëpi dhe me këtë rast, ka porositur nënën e Novruzit, që të mos shkëputej nga vëllezrit kulak, por të mbante marrëdhënie të rregullta.

5. Mbi punën në Gjykata dhe Prokurori/memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb