Pasi me Gonzalo Higuain sistemoi sulmin dhe me Kaldarën mbylli boshllëkun e lënë nga Bonuçi, Leonardo vijon punën për të përforcuar Milanin. Me merkaton që përfundon pas dy javës, drejtori teknik kuqezi nuk ka kohë për të humbur. Bisedat, takimet dhe sondazhet janë në rend të ditës për brazilianin, i cili duke shfrytëzuar mbështetjen e fondit “Elliott”, synon të realizojë të paktën edhe dy goditje, respektivisht në mesfushë dhe krahun e sulmit.

IDE SERBE- Pas zërave për një takim me PSG-në për Adrien Rabio, në orët e fundit Leonardos i ka ardhur një ide e çmendur, e cila mban emrin e Sergej Milinkoviç-Saviç. Serbi kërkon 5 milionë euro në sezon, një shifër që është jashtë çdo mundësie ekonomike të Lacios. Klubi bardhekaltër synon të mbështetet te kontrata e sapofirmosur me lojtarin, e cila skadon në vitin 2022. Vetë 23-vjeçari, në ditën e tij të parë të grumbullimit duke përshëndetur tifozët që i kërkonin të mos largohej, tha: “Nuk kam ikur, jam këtu”. Fjalë dribluese këto të mesfushorit, dëshira e të cilit për t’u larguar nuk është më mister.
Një transferim te Milani duket larg mundësisë kuqezi, me Leonardon që për të blerë lojtarin duhet të bëjë akrobaci në nivel bilanci, megjithatë mbështetja e “Elliott” mund të rezultojë edhe një herë vendimtare. Disa media flasin që ekziston edhe një ofertë kuqezi (90 milionë euro plus dy futbollistë), megjithatë klubet nuk prononcohen.

Edhe nga ana e futbollistit të formuar te Vojvodina, nuk mungojnë sinjalet. Lojtari ka pasur një shkëmbim pëlqimesh në rrjetin “Instagram” me Romanjolin, por nëse është thjesht “rastësi” apo detaj që flet për të ardhmen, do të merret vesh shumë shpejt.

MADRID- Pas largimit të Kristiano Ronaldos, Reali po studion edhe atë të Luka Modriç. Në mes këtyre largimeve me peshë, mund të shtohet edhe ai i Mateo Kovaçiç, i cili prej javësh kërkon të largohet drejt një klubit ku të ketë mundësi për të luajtur më shumë. Disa ditë më parë, Mançester Junajtid ofroi 60 milionë euro për 24-vjeçarin, por ishte pikërisht ky i fundit që refuzoi destinacionin, teksa rikthimi në Itali duket se është parësor për të. Edhe Kovaçiç është tashmë në listën e Leonardos, për të cilin fjala e pamundur duket se nuk ekziston. Në këtë rast ka disa konkurrentë, që nga ish-klubi që e bëri të famshëm (Interi) e deri te Juventusi ku do të rigjente mikun Kristiano Ronaldo.

ÇAKI- Pasi “tmerroi” Gjermaninë në Botëror, Hirving Lozano (me nofkën Çaki) gëzon një tjetër reputacion në botë. Sulmuesi i asistuar nga Mino Raiola mund të braktisë Eindhovennin duke derdhur në arkat e PSV-së, rreth 25-30 milionë euro. Ai shihet si një zëvendësues ideal i Susos, pavarësisht nëse spanjolli vendos ose jo të lërë Milanon.

Edhe në rastin e tij kontrata e sapo nënshkruar (deri në 2023) mund të përbëjë një problem, me Leonardon që duhet të bënte një punë të lartë bindëse për të siguruar shërbimet e meksikanit. Asistenca e Raiolës mund të rezultojë vendimtare, duke ditur ndikimin që ka agjenti italo-holandez në klubet e “Eredivisie”.

PATOKU- Dyert e Milanit, sipas Leonardos, janë të hapura për milanistët. Megjithëse drejtori teknik u referohej bashkëpunëtorëve, një rikthim kuqezi mund të jetë edhe ai i Alesandre Patos. Braziliani ka konfirmuar kontaktin me Leon, megjithëse ka bërë të ditur se ka ndodhur për ta uruar për detyrën e re, teksa në lidhje me një kalim te Milani, 28-vjeçari pati deklaruar: “Rikthim te Milani? Pse jo, por në fillim duhet që Leonardo të më telefonojë…”
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/terbohet-leonardo-tani-do-edhe-nje-mes-savic-dhe-kovacicit/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb