Një shqiptar nga Maqedonia, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, ka dalë para një gjykate në Gjermani të enjten, i akuzuar për përdhunimin e dy të rejave dhe rezistencë ndaj zyrtarëve publikë. 37-vjeçari identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, jeton prej tre vitesh në Gjermani në një komunë në Alb-Danub-Kreis pranë Ulm, me bashkëshorten dhe dy fëmijët, raportojnë mediat lokale. Ngjarjet për të cilat ai akuzohet kanë ndodhur në 9 tetor 2016, mes orës 2 dhe 2:30 të mëngjesit.

RASTI I PARË: Një studente 23-vjeçare nga Finlanda ishte duke pritur një taksi në Willy-Brand-Platz në Ulm, kur pa një makinë që u afrua. Ajo hyri në të dhe i komunikoi adresën ku donte të shkonte shoferit. Në timonin e mjetit ishte 37-vjeçari. Ai e drejtoi makinën në një rrugë të veçuar. E reja i pikasi qëllimet e drejtuesit të mjetit dhe nxori celularin, por 37-vjeçari ia rrëmbeu nga dora. Ai e shtriu vajzën në sedijen e pasme dhe abuzoi me të. Më tej, e zbriti nga makina.

RASI I DYTË: Të njëjtën mbrëmje, babai i dy fëmijëve e ndali makinën në Magirusstrasse. Aty ishte një grua duke qarë buzë rrugës, e cila ishte rrahur dhe dëbuar nga apartamenti ku jetonte me të dashurin. Ai zbriti nga makina dhe pretendoi se donte ta ngushëllonte. 27-vjeçarja hipi në makinë me shqiptarin, por kishte të njëjtin fat si studentja. Pas 20 minutash, ai e ndaloi makinën në një rrugë të izoluar, bllokoi dyert e automjetit dhe e përdhunoi vajzën në sedijen e pasme si dhe e goditi në fytyrë me grusht.

Të dyja të lënduarat shkuan në polici. Disa orë më vonë, shqiptari u arrestua në shtëpinë e tij dhe u dërguan në selinë e policisë. Aty, ai goditi me grusht në kokë një polic. Lidhur me rastin e parë, ai tha se u përpoq vetëm ta puthë dhe ta zhveshë studenten, por nuk kreu marrëdhënie seksuale me të, ndërsa për rastin e dytë, tha se marrëdhënia seksuale është bërë me konsensus. Procesi do të vazhdojë më 6 shkurt.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: