MAQEDONI- Vendimi i Bashkimit Demokratik për Integrim për largimin e të gjithë ministrave të saj nga Qeveria, ka ndërlikuar edhe më shumë krizën politike në Maqedoni, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe ekspertët juridikë, duke parashikuar hapat që do të ndërmarrin partitë për situatën e krijuar.

Qeveria ka 24 anëtarë dhe nëntë prej tyre janë nga radhët e BDI-së, apo një e tretë e kabinetit.

Në një situatë të tillë, sipas ekspertit juridik, Temelko Ristevski, bie e gjithë qeveria, që nënkupton konstatimin e dorëheqjeve nga ana e Kuvendit dhe kthimin e mandatit te presidenti i shtetit, cili më pas duhet të caktojë një mandatar të ri për zgjedhjen e qeverisë, që në këtë rast do të ishte VMRO–DPMNE-ja.

“Në rastin konkret, sipas një analogjie, mund të zbatohet neni 94, pika 4 e Kushtetutës. Kur kryetari i Qeverisë propozon shkarkimin e së paku një të tretës së ministrave, Kuvendi duhet të veprojë sikur në rastin e zgjedhjes së Qeverisë së re”, thotë Ristevski, shkruan ‘koha’.

Dorëheqja e ministrave të BDI-së së Ali Ahmetit vjen në kohën e publikimit në media dhe rrjete sociale të një bisede të përgjuar me përmbajtje erotike ndërmjet dy zyrtarëve të lartë të kësaj partie, raporton REL.

Nga kjo parti, bisedat e tilla komprometuese i kanë quajtur “inskenime të laboratorëve të nëntokës dhe kriminelëve të caktuar për qëllime shantazhi dhe diskreditimi të zyrtarëve të BDI-së”.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: