Vendimi i Bidenit për të mos e vazhduar garën e tij për president të SHBA-së për zgjedhjet e 5 nëntorit ka shkaktuar reagime gjithandej botës. Ky vendim dhe mundësia që Donald Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, sipas njohësve të politikave ndërkombëtare, pritet të ndikojë si në luftërat që po zhvillohen në Ukrainë e Gaza, po ashtu edhe në raportet e SHBA-së me disa prej shteteve që konsiderohen problematike.
Tërheqja e presidentit amerikan, Joe Biden, nga gara për president të SHBA-së injekton pasiguri më të madhe në botë, në një kohë kur liderët perëndimorë po përballen me luftërat në Ukrainë dhe Gaza, me një Kinë më të sigurt në Azi, dhe ngritjen e së djathtës ekstreme në Evropë.
Gjatë një karriere prej pesë dekadash në politikë, Bideni zhvilloi marrëdhënie të gjera personale me liderë të shumtë të huaj, që asnjë nga zëvendësuesit e mundshëm demokratë nuk pritet se mund ta arrijnë. Pas njoftimit të tij, mesazhet e mbështetjes dhe mirënjohjes për vitet e shërbimit të tij vërshuan nga afër e larg.
Shtrirja e sfidave të politikës së jashtme me të cilat do të përballet presidenti i ardhshëm i SHBA-së e bënë të qartë se sa e rëndësishme është ajo që ndodh në Washington për pjesën tjetër të planetit.
Izraeli
Me zëvendëspresidenten Kamala Harris që shihet si një zëvendësuese e mundshme e Bidenit, izraelitët të dielën u përpoqën të kuptonin se çfarë do të thoshte kandidatura e saj për vendin e tyre, ndërsa shteti përballet me izolimin global në rritje për shkak të fushatës së tij ushtarake kundër Hamasit.
Gazeta e përditshme e krahut të majtë të Izraelit “Haaretz” botoi një artikull që shqyrtonte të dhënat e Harrisit për mbështetjen e Izraelit, duke vënë në dukje reputacionin e saj si “polici i keq” i Bidenit, i cili e ka këshilluar me zë të lartë Izraelin për ofensivën e tij në Gaza. Në muajt e fundit, ajo ka shkuar më tej se Bideni në thirrjen për një armëpushim, duke denoncuar pushtimin e Izraelit në Rafah dhe duke shprehur tmerrin për numrin e të vdekurve civilë në Gaza.
“Me largimin e Bidenit, Izraeli ka humbur ndoshta presidentin e fundit sionist (sionizmi ka të bëjë me mbështetjen e një shteti të pavarur hebre)”, ka thënë Alon Pinkas, një ish-konsull i përgjithshëm izraelit në New York.
“Një kandidat i ri demokrat do të ndryshojë dinamikën”, ka shtuar ai.
Ukraina
Çdo kandidat demokrat ka të ngjarë të vazhdojë trashëgiminë e Bidenit për mbështetjen e vendosur ushtarake për Ukrainën. Por zhgënjimi me administratën Biden është rritur në Ukrainë dhe Evropë për ritmin e ngadaltë të ndihmës së SHBA-së dhe kufizimet në përdorimin e armëve perëndimore.
“Shumica e evropianëve e kuptojnë se Ukraina do të jetë gjithnjë e më shumë barra e tyre”, ka thënë Sudha David-Wilp, drejtor i zyrës në Berlin të Fondit gjerman Marshall, një institut kërkimi.
“Të gjithë po përpiqen të përgatiten për të gjitha rezultatet e mundshme”, ka shtuar ai.
Kina
Në muajt e fundit, si Bideni ashtu edhe Trumpi janë përpjekur t’u tregojnë votuesve se kush mund t’i rezistojë më së miri fuqisë ushtarake dhe luftarake në rritje të Pekinit, dhe të mbrojë bizneset dhe punëtorët amerikanë nga importet kineze me çmime të ulëta.
Bideni ka rritur tarifat për automjetet elektrike nga Kina dhe Trumpi ka premtuar të zbatojë tarifa prej 60% për të gjitha produktet kineze.
Doktrina “Amerika e para” e Trumpit ka përkeqësuar tensionet me Pekinin. Por mosmarrëveshjet me rivalin gjeopolitik dhe gjigantin ekonomik mbi luftërat, tregtinë, teknologjinë dhe sigurinë vazhduan gjatë mandatit të Bidenit.
Reagimi zyrtar i Kinës ndaj garës presidenciale në SHBA ka qenë i kujdesshëm. Agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua e trajtoi pak historinë e vendimit të Bidenit. Redaktori i gazetës “Global Times” të drejtuar nga partia, Hu Xijin, minimizoi ndikimin e tërheqjes së Bidenit.
“Kushdo që bëhet kandidat presidencial i Partisë Demokratike mund të jetë i njëjti. Votuesit ndahen në dy grupe, votuesit e Trumpit dhe ata që e urrejnë Trumpin”, ka shkruar ai në “X”.
Irani
Në kohën kur përfaqësuesit e Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme po ngatërrohen gjithnjë e më shumë në luftën Izrael-Hamas, SHBA-ja përballet me një rajon në rrëmujë.
Rebelët Houthi të Jemenit të mbështetur nga Irani goditën Tel-Avivin për herë të parë javën e kaluar, duke shkaktuar sulme hakmarrëse izraelite brenda Jemenit të shkatërruar nga lufta. Tensionet e ndezura dhe sulmet ndërkufitare midis grupit militant Hezbollah të Libanit të mbështetur nga Irani dhe ushtrisë izraelite, kanë ngritur frikën për një luftë të gjithanshme rajonale.
Hamasi, i cili gjithashtu merr mbështetje nga Irani, vazhdon të luftojë Izraelin edhe nëntë muaj pas një lufte që ka lënë të vdekur mbi 38.000 palestinezë dhe ka zhvendosur mbi 80% të popullsisë së Gazës.
SHBA-ja dhe aleatët e saj e kanë akuzuar Iranin për zgjerimin e programit të tij bërthamor dhe pasurimin e uraniumit në një nivel të pashembullt prej 60%, nivele afër nivelit të armëve bërthamore.Pasi presidenti i atëhershëm Trump në vitin 2018 u tërhoq nga Marrëveshja bërthamore e Teheranit me fuqitë botërore, Biden ka thënë se donte të ndryshonte qëndrimin e ashpër anti-Iran të paraardhësit të tij. Por administrata e Bidenit ka vendosur sanksione të rënda ekonomike kundër Iranit dhe ka mbikëqyrur përpjekjet e dështuara për të rinegociuar marrëveshjen.
Vdekja e papritur e Ebrahim Raisit, mbrojtësi i linjës së ashpër të liderit suprem, në një aksident helikopteri, ia ktheu një reformisti të ri presidencën në Iran, duke gjeneruar mundësi dhe rreziqe të reja.
Masoud Pezeshkian ka thënë se dëshiron ta ndihmojë Iranin të hapet me botën, por ka mbajtur një ton sfidues kundër SHBA-së.
Evropa dhe NATO-ja
Shumë evropianë dukeshin të lumtur kur panë që Trumpi po largohej pas viteve të tij të përçmimit të Bashkimit Evropian dhe minimit të NATO-s. Qëndrimi në dukje shpërfillës i Trumpit ndaj aleatëve evropianë në debatin presidencial të muajit të kaluar nuk bëri asgjë për të qetësuar këto shqetësime.
Bideni, nga ana tjetër, ka mbështetur marrëdhëniet e ngushta amerikane me liderët e bllokut.
Kjo afërsi u shfaq qartë pas vendimit të Bidenit për t’u larguar nga gara. Kryeministri polak, Donald Tusk, e ka quajtur zgjedhjen e tij “ndoshta më e vështira në jetën e tij”. Kryeministri i ri britanik, Keir Starmer, ka thënë se ai respektonte “vendimin e Bidenit bazuar në atë që ai beson se është në interesin më të mirë të popullit amerikan”.
Pati gjithashtu një shprehje admirimi e dashurie nga kryeministri irlandez, Simon Harris, i cili e ka quajtur Bidenin një “amerikan krenar me shpirt irlandez”.