TIRANË

Anëtar i kryesisë të Lëvizjes Vetëvendosja Arbër Zajmi ka parashtruar në “Real Story” në News24 disa nga synimet e kësaj force që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë si dhe një platformë me katër hapa për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që do të ndjekë Albin Kurti.

Zajmi tha se këto hapa pritet të realizohen brenda një periudhe 6 deri në 8 muaj.
“Politika e jashtme shpesh është bërë politike e brendshme. Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë se presidenti nuk mund të drejtojë dialogun dhe të bëjë marrëveshje. Kryeministri është ai që e drejton këtë proces. Albin Kurti do ta drejtojë këtë dialog. Ne kemi parashtruar një plan me disa hapa për dialogun. Hapi i parë të shikojmë ato marrëveshje që janë nëshkruar dhe a janë zbatuar. Kjo mund të bëhet shumë shpejt, për 3 muaj. Hapi i dytë është mbajtja e përgjegjësisë për personat që kanë lidhur marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Hapi i tretë ka të bëjë me brenda parlamentit, realizimi i një platforme të përbashkët çfarë duam të arrijmë përmes dialogut. Të katër hapat janë të realizueshme për 6-8 muaj. Hapi i katërt, realizimi i një grupi specifik me persona nga të gjitha grupet që duhet përfshirë në dialog, siç janë familjet e të pagjeturve”, tha Zajmi.

Sa i përket tërheqjes së njohjes së Kosovës nga disa vende ai parashtroi si një mangësi nga qeverisjet e mëparshme mos konsolidimin e marrëdhënieve me ato vende që e kanë njohur. Pikërisht ky do të jetë dhe një synim i qeverisë së Albin Kurtit sipas Zajmit.

“Anëtarësimi në OKB dhe në BE janë dy aspirata. Në OKB është pengesë Kina, ndërsa në BE, 5 vende që nuk e njohin Kosovën për situata të tyre të brendshme. në politikën tonë të jashtme do fokusohemi tek konsolidimi i marrëdhënieve. Ballë përballë Serbisë duhet të shkojmë të përgatitur me partnerë që janë afër nesh dhe me një gjendje të brendshme të qëndrueshme.
Vendet e Afrikës po tërheqin njohjen, pse…sepse është fokusuar vëmendja për rritjen e numrit e jo për konsolidimin e forcimin e marrëdhënieve. Ne mendojmë që duhen thelluar e forcuar marrëdhëniet me këto vende”, u shpreh Zajmi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb