Takimi i nivelit të lartë (samiti) dje në Berlin mes kryeministres gjermane Merkel, presidentit francez Makron dhe kryeministrave të Serbisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë (si dhe presidentëve të ftuar të Serbisë dhe Kosovës) tregoi vullnetin e drejtuesve të sotëm të dy vendeve si Gjermania dhe Franca, boshti që frymëzon Evropën e Bashkuar, për të mbajtur afër vendet e Ballkanit Jugperëndimor. Për të vlerësuar përpjekjet e disa prej tyre pro integrimit me BE-në, si dhe për të shpresuar në një dialog real dhe jo demagogji të pastër mes Serbisë dhe Kosovës. Këto vlerësime u duhen drejtuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për kapital vetjak politik. Me një Serbi që tërhiqet fort dhe luan me boshtin Rusi-Kinë të interesave tregtare dhe gjeopolitike, si Merkel dhe Makron dëshironin me këtë takim të jepnin mesazhin se mbështesin në tërësi integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Por, me dallime të theksuara. Gjermania, edhe pse forcat radikale, ekstremiste dhe kundër zgjerimit të BE-së po i avancojnë në shtëpi, është më e vendosur se kurrë që të përparohet konkretisht me integrimin e rajonit.

Dhe më konkretisht akoma, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë t’i çeleshin bisedimet e anëtarësimit më 29 qershor. Mirëpo, kampioni tjetër i Evropës së Bashkuar, presidenti francez nuk do të dëgjojë në këto momente për zgjerim të BE-së nga makthi i forcave ekstremiste dhe anti-integrim në Francë, të cilat mund të triumfojnë në zgjedhjet e fundmajit për Parlamentin Evropian. Makron nuk do t’u japë asnjë argument shtesë për propagandën e tyre. Edhe pse nisja e bisedimeve është gati një veprim simbolik, ngaqë bisedimet e mirëfillta të anëtarësimit do të zgjasin me vite, Makron nuk guxon dot. Përplasja e fortë dhe e vazhdueshme disamujore me protestat e “xhaketave të verdha” në Paris e ka bërë më të kujdesshëm në projektin e tij të Evropës së Bashkuar. Nga “Jo”-ja kokëfortë e tij, boshti franko-gjerman që përfaqëson motorin dhe shpirtin e Bashkimit Evropian, e shtyu vendimin për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në shtator 2019. Ndërkohë, vendi ynë ka sprovën me zgjedhjet vendore të 30 qershorit, ndërsa Bashkimi Evropian me zgjedhjet e 23-26 majit për parlamentarët e rinj evropianë, në të 28 vendet anëtare të tij. Si Merkel, edhe Makron shpresojnë që zgjedhjet të mos anojnë nga forcat ekstremiste të majta apo të djathta të Evropës dhe që të gjejnë pak terren për përpjekjet për zgjerim në periudhën qershor-korrik 2019.

Samiti i Berlinit u organizua për të mbajtur të karikuar drejtuesit progresistë të Ballkanit Jugperëndimor, sidomos atë të Maqedonisë së Veriut, Zaev dhe kryeministrin tonë, pasi nga drejtuesi i Serbisë së sotme, si Merkel edhe Makron kanë pak shpresë, duke parë demagogjinë e tij të fortë. Si demagog i shkëlqyer, presidenti serb Vuçiç deklaroi se bisedimet Serbi-Kosove rinisin që nesër, nëse hiqet taksa 100 për qind mbi mallrat serbe për në Kosovë. Duke e ditur mirë që këto bisedime edhe pa këtë taksë do të qëndrojnë në cekëtinë. Mjedisi politik i sotëm në Serbi nuk e lejon Vuçiç të bëjë harakiri duke njohur shtetin e Kosovës dhe këtë e kanë kuptuar më në fund edhe drejtuesit e Gjermanisë dhe Francës. Ja përse Merkel takoi në takime të veçanta vetëm kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe kryeministrin tonë. Loja e Vuçiç tanimë është e qartë për të gjithë vendimmarrësit në Bruksel, por edhe në Berlin dhe Paris. Nuk ngjall më shpresë. Mirëpo edhe pse e shtyu për në shtator vendimin për çeljen e bisedimeve, takimi i Berlinit i shërbeu rajonit tonë. Në mos tjetër, për të rigjallëruar një klimë të sprovave për integrim, si e ardhmja më e sigurt për vendet e rajonit. Edhe për ne në Shqipëri, shpresa është që mbështetja e Merkel dhe Makron (sidomos e së parës) për kryeministrin tonë ta ketë motivuar këtë të fundit të lëshojë pe mjaftueshëm në lojën shah-mat të opozitës, që proteston në rrugë kundër tij. Do t’i duhet një mrekulli në këtë shteg pa dalje ku është futur opozita reale e vendit. Por, përgjegjësia si e rolit dhe e momentit historik që po kalojmë (duke pritur shtatorin integrues) duhet ta shtyjnë të lëvizë në drejtimin e duhur: ta sjellë opozitën në tryezën e bisedimeve. Tryezën e 17 majit ia përgatitën partitë e vogla si kurth-varr politik për të. Tani tryezën e majit 2019 duhet ta shtrojë të gjithën vetë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb