TIRANË- Pak orë pasi kreu i PAA-se Agron Duka deklaroi se marrëveshja mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së Lulzim Basha e bën ankimimin e kësaj force në Kolegjin Zgjedhor nul, “BalkanËeb” zbardh shkresën e plotë për tërheqjen e kësaj force nga gjykimi.

Në letër thuhet se më 3 maj PAA ka paraqitur padinë për kundërshtimin e vendimeve të KQZ-së dhe ka kërkuar çregjistrimin e listave të kandidatëve për deputet si të depozituara jashtë afatit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor.

Kjo padi pritej të shqyrtohej sot në 12:30 nga Kolegji Zgjedhor, por në kushtet kur ka një marrëveshje mes opozitës dhe maxhorancës dhe kur 18 qershori nuk ekziston më ligjërisht, PAA tërhiqet nga gjykimi i çështjes.

SHKRESA E PLOTË

Drejtuar: Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë
Kërkues: Partia Agrare Ambjentaliste
Të nderuar anëtarë të Kolegjit Zgjedhor

Partia Agrare Ambjentaliste, si subjekt zgjedhor ka paraqitur përpara jush kërkesë padinë me objekt: “Kundërshtimi i Vendimeve të KQZ-së Nr. 283, 284, 285 286, 287, 288 datë 03.05.2017 dhe nr.289, 290, 291, 292, 293, 294, 295, 296, 297, datë 07:05 2017. Gjykimi i çështjes në themel duke vendosur çregjistrimin e listave shumëemërore të kandidatëve për deputet, si të depozituara jashtë afatit të përcaktuar në nenin 67 të Kodit Zgjedhor”, kërkesë e cila është parashikuar të shqyrtohet nga ana juaj në datën 18.05.2017 ora 12:30.

Në kushtet kur midis forcave politike të opozitës dhe maxhorancës është arritur marrëveshje politike për zgjidhjen e krizës në vend dhe në kushtet kur tanimë data 18 qershor 2017 nuk ekziston më ligjërisht dhe ka rënë si datë zgjedhjesh, ne si subjekt tërhiqemi nga gjykimi i kësaj çështjeje.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: