20 minuta në fushë kundër më të mirëve në botë, kundër Man.City, për të vërtetuar se sa shumë klas ka në këmbët e tij. Armando Broja dhuroi sërish spektakël për sa kohë ishte në fushë, sigurisht nuk arriti të linte gjurmë, të realizonte, apo të dhuronte një assist, kjo dhe për faktin se Everton u përpoq të ruante rezultatin, pikën kundër qytetarëve, por sulmuesi kuqezi ishte i papërmbajtshëm, u ndal vetëm me faull kur kishte topin në këmbë, si në rastin e Phil Foden. Për sa kohë ishte në fushë, Broja dhuroi 7 pasime, të 7-ta të sakta, ndërmori 2 driblime, një i realizuar.
Sipas “SofaScore”, faqes së specializuar për statistikat, në përfundim të ndeshjes, “bomberi” kuqezi u vlerësua me notën 6,8. Në përfundim të ndeshjes, trajneri Sean Dyche u shfaq i kënaqur me paraqitjen e Brojës dhe pjesës tjetër të ekipit, pasi një pikë përballë City, pavarësisht situatës ku ndodhen nuk është për t’u hedhur poshtë:
“Mendoj se forma është e mirë, dëshira është e mirë, angazhimi i lojtarëve është maksimal, por na mungon ende ajo shkëndijë përpara portës, na mungon goli”, u shpreh trajneri i Everton.
Pas javës së 17-të, Everton renditet në vendin e 15-të në kuotën 17 pikëve, 3 pikë larg “vijës së kuqe”.