Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka shkruar një letër kryeministrit Edi Rama, zëvendës kryeministrit Erion Braçe dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ku paralajmëron se një tërmet apokaliptik do të godasë Ballkanin.

Duke marrë shkasë nga deklaratat e sizmiologut grek Akis Tselentis, Presidenti Ilir Meta në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare kërkon informacion nga institucionet përkatëse rreth kësaj dukurie natyrore.

“Sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës. Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi ynë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Evropë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Meta.

Duke shtruar disa pyetje për këtë çështje, Meta kërkon informacion për paralajmërimin dhe për masat e mundshme, ndërsa thotë se është i gatshëm të mbledhë edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

LETRA E PLOTË
Të nderuar,
Nëpërmjet medias ndërkombëtare dhe kombëtare jam informuar mbi paralajmërimin për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin. Paralajmërimi ka ardhur nga sizmiologu i njohur, zoti Akis Tselentis, drejtor i Institutit Gjeodinamik Obsarvatori Kombëtar i Athinës.

Sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballaknin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës.
Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi ynë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore.

Për sa më sipër, kërkoj nga ana juaj të informohem mbi:
Institucionet përgjegjëse, a kanë kontaktuar me sizmiologun Tselentis dhe institucionet homologe të rajonit lidhur me të dhënat e tyre për paralajmërime të tilla?
Cilat janë kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra nga ana juaj , nëse vendi ynë do të goditet nga një tërmet i përmasave të tilla.

Çfarë masash janë marrë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minimizuar pasojat e mundshme në nivel qëndron dhe vendor?
Nëse e gjykoni të domosdoshme, jam i gatshëm të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare menjëherë qoftë dhe vetëm për këtë çështje, pasi çdo nënvlerësim i situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve në radhë të parë.
Presidenti i Republikës
Ilir Meta

  • foto galeri
  • foto galeri

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb