Një tërmet me magnitudë 6.2 Rihter goditi Filipinet mëngjesin e sotëm, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), me autoritetet lokale që paralajmëruan për pasgoditje të pritshme dhe vlerësuan rrezikun e dëmeve.

Tërmeti ndodhi rreth orës 10:00 me orën lokale pranë qytetit Calatangan në provincën Batangas, jo shumë larg kryeqytetit Manila.

Shefi i policisë së Calatangan Emil Mendoza tha se ai doli me nxitim me punëtorë të tjerë në departamentin e tij kur ndodhën lëkundjet.
Deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme të rënda materiale. Por agjencitë e reagimit ndaj fatkeqësive janë ende në procesin e vlerësimit të situatës, tha zoti Mendoza për AFP.

Ronald Torres, oficer i ndihmës për fatkeqësitë në Calatangan, tha se tërmeti zgjati nga 30 sekonda në 1 minutë. Është ndjerë veçanërisht në kryeqytet, ku edhe banorët kanë dalë me nxitim nga ndërtesat.

Tërmetet ndodhin pothuajse çdo ditë në Filipine, një arkipelag i vendosur në “unazën e zjarrit” të Oqeanit Paqësor, një zonë me aktivitet intensiv sizmik dhe vullkanik.

Tërmeti më i madh i fundit ka ndodhur në tetor në pjesën veriore të Filipineve. Ai kishte një magnitudë 6.4 dhe goditi qytetin e Dolores, në provincën malore të Ambra, duke plagosur civilë, duke dëmtuar ndërtesa dhe duke ndërprerë energjinë në pjesën më të madhe të zonës.
Një tërmet me magnitudë 7 që goditi gjithashtu provincën Abra në korrik vrau njëmbëdhjetë njerëz dhe plagosi qindra të tjerë, duke shkaktuar rrëshqitje dheu dhe çarje në tokë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: