MEKSIKE-Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.2 është regjistruar gjatë natës në jugperëndim të Meksikës. Lëkundjet e forta janë ndjerë edhe në Kryeqytetin e vendit Mexico City.
Tërmeti e ka pasur epiqendrën rreth 3 kilometra nga San Agustin Chayuco, në shtetin e Oaxaca.
Janë ende në fazën e verifikimit dëmet materiale dhe të lënduarit apo viktimat. Një helikopter i forcave të ndërhyrjes së shpejtë është përplasur dhe dy persona kanë vdekur.
Sipas raportimeve të mediave lokale, tërmeti ka zgjatur më shumë se një minutë. Lëkundjet janë ndjerë edhe në Guatemalë. Banorët kanë kaluar natën nëpër rrugë.
Një tjetër lëkundje e fuqishme me magnitudë 5.8 ka pasuar atë të 7.2, sipas agjencisë sizmiologjike amerikane Usgs. Tërmeti e ka pasur epiqendrën rreth 10 kilometra nga Santiago Jamiltepec, në shtetin e Oaxaca. Ashtu si dhe tërmeti i parë lëkundjet janë ndjerë edhe në Mexico City.
Ministri meksikan Alfonso Navarrete tha se helikopteri në të cilin po udhëtonte edhe ai, për të shkuar në zonat e goditur nga tërmeti, është përplasur në zonën e epiqendrës së tërmetit, teksa zbriste në tokë. Dy persona kanë vdekur. ’Kam mësuar se dy persona kanë humbur jetën’ ka thënë ministri, i palënduar, pa precizuar numrin e saktë të të lënduarve të tjerë.
(da.xha/BalkanWeb)