Nga: REZARTA PASHALLARI

TEPELENE- Tepelena është një qytet me pak të ardhura dhe në vitin 2013 nuk pati asnjë investim nga shteti, megjithatë qyteti ka ndryshuar. Rikonstruksioni i qendrës, i kalasë së Ali Pashës, i pedonales, i kanë dhënë një pamje të rigjeneruar. Tërmet Peçi, kandidat i ASHE-së dhe kryetar aktual i Bashkisë së Tepelenës, tashmë dhe me një eksperiencë në pushtetin lokal, vjen me një projekt konkret për zonën dhe banorët e tij. Falë edhe bashkëpunimit me qeverinë, Peçi premton ndryshime të prekshme në Tepelenë.

Zoti Peçi, si e konsideroni rikandidimin për një mandat të dytë?
Mandati im i dytë do të thotë vijim i rilindjes urbane për Tepelenën, do të thotë vijim i reformave që tashmë i kemi nisur, do të thotë një qytet më i jetueshëm për banorët, do të thotë një mundësi e mirë për të gjithë.

Programi juaj është fokusuar në zhvillimin ekonomik dhe uljen e papunësisë, si do e mundësoni këtë?
Me mbështetjen e qytetarëve për mandatin tim të dytë, unë kam garancinë e qeverisë shqiptare që do të shfrytëzojmë të gjitha avantazhet që ofron reforma e re administrativo– territoriale. Sigurisht që, zhvillimi ekonomik realizohet duke garantuar dy shtylla kryesore: uljen e papunësisë dhe nxitjen e bizneseve. Ne si bashki do të nxisim sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke krijuar një klimë të përshtatshme dhe lehtësira për ushtrimin e aktivitetit të tyre. Po kështu do të ketë lehtësira fiskale edhe për ato biznese që ofrojnë shumë vende pune. E ardhmja janë të rinjtë, ndaj punësimi i tyre është prioritet i yni. Ne do të investojmë për kualifikimin profesional të tyre, ndërsa në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të aplikojmë për shumë programe të nxitjes së punësimit. Po ashtu do bashkëpunojmë edhe me donatorë të huaj. Ne kemi eksperiencë në nxitjen e punësimit dhe një mundësi konkrete që u kemi dhënë të papunëve janë edhe investimet që po kryhen në bashki, e në këtë kuadër dhe në zbatimin e projekteve të reja, do të krijojmë kushtet për më tepër punësim. Në Tepelenë nis zbatimi edhe i 4 projekteve të reja si dhe po punohet për çeljen e dy bizneseve të reja fasone. Pra ju garantoj që në mandatin tim të dytë, unë dhe administrata ime do jemi të fokusuar në uljen e papunësisë dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

Ju keni një vend me gjelbërim e ushqim perfekt, si do e zhvilloni turizmin natyror e kulturor?
Tepelena si njësi e re, ka një trashëgimi të madhe historike e potenciale natyrore. Me investimet që janë në proces dhe ato që së bashku do të realizojmë për mandatin e ardhshëm, do ta bëjmë këtë zonë një destinacion të preferuar turistik, duke sjellë më shumë të ardhura për banorët. Bashkëpunimi me kompanitë që kryejnë aktivitetin e tyre në këtë territor do të jetë maksimal. Me politikat tona të taksave lokale dhe partneritetin e qeverisjes qendrore, do të përmirësojmë klimën e të bërit biznes. Gjithashtu, do të ofrojmë lehtësi për agro-përpunimin dhe krijimin e një marke për produktet blegtorale të zonës.

Pikë interesante e qytetit tuaj është kalaja e Ali Pashës; si do e promovoni që turistë të huaj ta kenë në guidat e tyre?
Restaurimi i kalasë së Ali Pashë Tepelenës ka qenë një nga drejtimet kryesore të punës sime në mandatin e parë dhe për këtë mandat unë do të vijoj punën sërish në këtë objekt. Ju e dini se, pavarësisht të ardhurave të pakta që gjeneronte kjo bashki dhe fondeve minimale pothuaj të papërfillshme që na dha qeverisja e kaluar, ne arritëm së bashku me ato pak të ardhura të bënim disa investimeve e ndërhyrje në qytetin tonë. Sapo mora detyrën në mandatin tim të parë, puna e menjëhershme nisi me pastrimin rrënjësor të këtij monumenti nga mbetjet e depozituara prej vitesh. Mundëm të realizonim një investim deri 4 milionë lekë për ndërhyrje emergjente, duke evituar vazhdimin e degradimit të mureve rrethuese që ishin çarë. Mundësuam zbatimin e një projekti kryesor, dhe kjo falë mbështetje së kryeministrit Rama dhe ministrit Ahmetaj, duke i dhënë Tepelenës një pedonale ashtu si e meriton. Ky është një investim bashkëkohor që u vjen në ndihmë banorëve duke u krijuar ambiente pushimi, duke e bërë më evidente kalanë e Ali Pashës dhe historinë që mbart, por do ta bëjë gjithashtu këtë objekt të vizitueshëm dhe mjaft të rëndësishëm në rajonin jugor dhe më gjerë. Ky investim është vetëm fillimi i një pune të madhe që kemi, i rilindjes urbane, dhe do të pasohet nga të tjera projekte. Me prioritet do të jenë: investimi në brendësi të kalasë, restaurimi i mureve, rehabilitimi i disa akseve etj. Vënia në eficencë e këtyre projekteve, do të sjellë më shumë punësim dhe burim të ardhurash për familjet që do të punësohen dhe për përfituesit nga implementimi i këtyre projekteve, siç janë banorët e kalasë. Çelja e Zyrës së Turizmit në bashki do të jetë një element pozitiv për promovimin e këtij potenciali. Punësimi në të i profesionistëve do të mundësojë hartimin e materialeve, guidave turistike dhe evidentimin e këtyre vlerave të trashëgimisë. Do të hartohet një guidë e plotë turistike fillimisht në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, për të gjitha atraksionet që ofron Tepelena, e më pas edhe në gjuhë të tjera. Do të vendosim sinjalistikën turistike në këto objekte dhe monumente si dhe do të hapet një faqe interneti ku do të jepet informacion për të gjitha këto potenciale që ofron kjo zonë. Do të prezantohen video, foto dhe dokumentarë që promovojnë turizmin e zonës sonë. Jemi duke hartuar disa guida dhe materiale informuese, si harta e fletëpalosje, që do t’u shërbejnë jo vetëm turistëve, por edhe vizitorëve vendas si dhe nxënësve e studentëve për ekskursione apo ekspedita mësimore. Gjithashtu do të nxisim bizneset e shërbimit turistik si dhe aplikimin e sporteve të turizmit malor. Me interes është dhe promovimi i zonave të thella si Kurvelesh e Lopëz, që tashmë janë nën juridiksionin e bashkisë sonë, duke i kthyer banesat në bujtina turistike. Por për t’i bërë këto zona të njohura e të preferuara për vizitorët, së pari ne do investojmë për infrastrukturën rrugore.

Nga do e nisni punën si kryebashkiak i Tepelenës?
Me marrjen e detyrës, do të nisë puna për zbatimin e projekteve konkrete në infrastrukturën rrugore, në qendrat shëndetësore e arsimore. Pas kryerjes së inventarit të akseve që do të menaxhojë kjo njësi e re dhe gjithë aseteve të tjera, do të miratohet buxheti i ndërhyrjeve. Brenda 100 ditëve të para do të konkretizohen projektet e ndërhyrjeve si në mirëmbajtje, restaurime të pjesshme e të plota, pasi tashmë kemi mbështetjen maksimale të qeverisjes qendrore. Kemi hartuar tashmë projektin e gjimnazit “Abaz Shehu” Tepelenë, ndërkohë janë parashikuar investime në disa institucione arsimore dhe krijimi i këndeve sportive.

Po në infrastrukturë, ku do përqendroheni?
Unë kam kërkuar mbështetjen e qeverisë për rikonstruksionin e rrugës së Kurveleshit dhe Lopëzit, të cilat kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, dhe këto i kam prioritet, ndërsa në Tepelenë do të vijojmë ndërhyrjet në segmentet e brendshme të qytetit si dhe në krijimin e mjediseve çlodhëse për pensionistët e fëmijët. Furnizimi me ujë dhe sistemimi i rrjetit të kanalizimeve janë një tjetër prioritet thelbësor në fushën e shërbimeve në Bashkinë e re të Tepelenës.

Mosha e tretë ka ngritur zërin duke u shprehur se nuk e gjen veten në programet e kandidatëve; ju, keni ndonjë projekt për pensionistët?
Sigurisht që duhet të kemi më shumë respekt i t’u japim më shumë mundësi të moshuarve, ata që kanë luftuar e kanë ndërtuar vendin tonë, ndaj kemi parashikuar që me të ardhurat e bashkisë të mundësojmë krijimin e një qendre për pensionistët. Në këtë qendër ditore do të punësohen disa persona e kryesisht femra. Aty pensionistët do të mund të kalojnë disa orë së bashku, ku do të ofrohet shtypi ditor (gazetat), kafe falas dhe shërbime të vogla mjekësore, si matja e tensionit.

Ne Tepelenë ka qenë problematike zona e varrezave, si keni menduar ta sistemoni gjendjen?
Brenda 100 ditëve të para do të garantojmë kryerjen e shërbimit publik të varrimit në të gjithë njësinë. Do të rrethohet hapësira e varrezave si dhe do të mundësojmë ujin në këtë territor.

Keni premtuar se do të zgjidhni edhe problemin e furnizimit me energji elektrike, a mund të na jepni ndonjë detaj konkret?
Kam diskutuar me ministrin e linjës për zgjidhjen e problematikës së furnizimit me energji elektrike. Përpjekjet e mia do të jenë maksimale në mënyrë që banorët të mos kenë probleme, sidomos gjatë periudhës së dimrit. Ndërkaq, kam kërkuar nga ministri dhe investim në rrjetin shpërndarës dhe transformatorët ku ka probleme. Shpresoj dhe kam fjalën e tij për përmirësimin e situatës.

Bujqësia dhe blegtoria janë prioritare në fshatrat e Tepelenës; si do u vini në ndihmë njerëzve që merren me këtë punë?
Në fillim do të rehabilitojmë sistemin ujitës e kullues të sipërfaqeve bujqësore. Problemi i mosfunksionimit të kanaleve të kullimit të tokës, ka sjellë jo rrallë përmbytje të sipërfaqeve bujqësore. Ndërkohë do të ndihmojmë për rrjetin vaditës dhe mbështetjen me fonde, në bashkëpunim dhe me Ministrinë e Bujqësisë, për shtimin e sipërfaqeve të mbjella, vaditjen me pika e deri te agro-përpunimi. Një aset i madh për banorët dhe si mundësi përfitimi e mbajtjes së familjeve në këtëzonë konsiderohet blegtoria. Ne do të fokusohemi dhe orientohemi drejt mbështetjes së këtij sektori, duke u krijuar blegtorëve kushte lehtësuese për shtimin e krerëve dhe gjetjen e tregut për produktet blegtorale të kësaj zone, aq të njohura në vend. Përmirësimi i infrastrukturës do të mundësojë grumbullimin e qumështit dhe mishit, por dhe çeljes në këto zona të punishteve të përpunimit të nënprodukteve të qumështit dhe mishit. Edhe ulliri është një burim fitimi për shumë familje, por fermerët duhet të nxiten me subvencione për shtimin e sipërfaqeve të mbjella, asistencës teknike, mbështetjes financiare për pesticidet, vaditjen, punimit të tokës dhe ngritjes së njësive agro-përpunuese. Në këtë drejtim ne po hartojmë edhe projekte nxitjeje të prodhimit vendas, krijimin e një marke të zonës si dhe stimulimin e rritjes së kapacitetit të fermave bujqësore e blegtorale. Ndërkaq, një mundësi përfitimi e të ardhurave janë edhe bimët medicinale. Mbledhja dhe grumbullimi i tyre në një pikë sa më të afërt do t’u vijë në ndihmë shumë familjeve, e sidomos në fshatrat e thella të kësaj bashkie. Me politikat nxitëse dhe mbështetëse, do të inkurajohet edhe mbjellja e sherebelës, bimëve të tjera, ullirit e frutikulturës, duke rritur edhe punësimin. Për këtë 4-vjeçar do të maksimizojmë mundësitë, si nga bashkia, ashtu edhe nga Ministria e Bujqësisë, për këtë drejtim të punës sonë. Zhvillimi i mëtejshëm i bujqësisë dhe blegtorisë si një ndër prioritetet kryesore është pjesë e rëndësishme e programit tim. Ne do të mundësojmë mbjelljen e çdo cm2 sipërfaqe toke me qëllim që dhe shumë emigrantë të rikthehen këtu, të investojnë në vendlindje, të çelen fronte të reja pune. Ne do mbështesim këto iniciativa, duke përmbushur objektivat e vendosur për nxitjen e punësimit dhe rritjen e standardit të të ardhurave të banorëve tanë.

Ju tanimë keni eksperiencë në drejtimin e bashkisë, por si do e përmirësoni punën tuaj?N
ë fokus të punës sime do të jem transparent dhe do të jap llogari për çdo qindarkë të investuar. Çelësi i suksesit do të jetë miradministrimi i fondeve dhe destinimi i tyre aty ku është më e domosdoshme, për infrastrukturën, shtresat në nevojë, restaurime etj. Gjithçka në Bashkinë e Tepelenës do të jetë në transparencë të plotë dhe projektet do të hartohen nëpërmjet konsultimeve të vazhdueshme me banorët. Ato do të realizohen e mbështeten tërësisht në kërkesat dhe interesat e qytetarëve dhe grupeve të interesit. Vazhdimisht do të organizohen takime të hapura mes komunitetit, administratorëve të njësive dhe këshilltarët si përfaqësues të tyre. Dhe, për një ekonomi të suksesshme dhe mirëmenaxhim të financave publike, do të funksionojë një sistem kontrolli i brendshëm pranë bashkisë. Ky audit do të verifikojë çdo qindarkë të dalë nga ky institucion.

Zhvillimi i kulturës dhe sportit; si qëndrojnë në programin tuaj këto dy çështje?
Bashkia e Tepelenës së pari do të mbështesë me fonde Sport Klub Tepelenën. Me donatorë dhe me mbështetjen edhe të biznesmenëve, do të krijojmë infrastrukturë të përshtatshme për sportistët, trajtimin e tyre, pagave, stimujve materialë, terreneve për trajtimin e tyre etj. Nga ana tjetër, ne do të mundësojmë që në çdo zonë, fshat e qendër të ndërtojmë terrene sportive, ku do të evidentohen edhe talentet e reja në futboll e basketboll si dhe sporte të tjera. Organizimi i aktiviteteve në çdo sezon do të jetë një mundësi gjallërimi e jetës sportive. Kampionatet midis shkollave do të jenë pjesë e një kalendari aktivitetesh në këtë njësi të re administrative. Për sa i përket kulturës, do të vihet në eficencë të plotë qendra e kulturës në këtë qytet për organizime nga më të ndryshmet, e po ashtu edhe sheshi kryesor i rehabilituar. Festivale fëmijësh, nxitje e përçimit të këngës polifonike, do të jetë një element thelbësor. Krijimi i një grupi fëmijësh që do të sjellin këngën labe të kësaj zone, do të marrë mbështetjen e duhur. Ndërkohë, me prioritet do të shihet edhe përçimi i punimeve tradicionale dhe kostumeve popullore, ku do të nxiten me fonde artizanët. Pjesë e rëndësishme e programit është vlerësimi i figurave të zonës në fusha të ndryshme. Një ekspozitë me foto, piktura, sende e materiale të ruajtura që nga Ali Pashë Tepelena e deri te njerëzit që po kontribuojnë për këtë zonë do të serviren në këtë minimuze e po ashtu do të vlerësohen edhe me tituj që do të miratohen nga këshilli bashkiak. Ndërkaq, lamë pa përmendur mjedisin dhe sipërfaqet e gjelbëruara, që unë i kam në programin tim si një tjetër prioritet. Me një mirëmenaxhim të pyjeve jo vetëm do të sigurojmë lëndën drusore për popullatën, por me projekte konkrete do të rigjenerojmë pyjet duke mbjellë fidanë të rinj. Mbrojtja e florës dhe faunës është element i rëndësishëm për të cilën do të ketë kontroll të fortë. Ndërkohë, edhe mbajtja pastër e mjedisit dhe mirëmenaxhimi i zonave të mbrojtura dhe monumenteve të natyrës si Uji i Ftohtë Tepelenë, do të sjellin më shumë frekuentim të tyre dhe të ardhura për bizneset.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb