TIRANË

Ditë e vështirë e sotmja edhe për gazetarët që ndonëse kanë parë shumë, sërish në tragjedi të tilla si e sotmja nuk i gjejnë dot fjalët.

Ndonëse në krye të detyrës në çdo moment për të përcjellë situatën minutë pas minuti për publikun që kërkon sa më shumë informacion për tërmetet, gazetarët e “News24” dhe “BalkanWeb” si ata në studio dhe redaksi ashtu dhe ata në terren e kanë pasur të vështirë të raportojnë sot.

Gazetari Erjon Skëndaj që ka qëndruar në Thumanë dhe ka përcjellë gjithçka ‘live’ në kushtet e një tronditje të thellë tha se situata është dramatike.

“Situata është dramatike dhe kur e sheh nga afër është edhe më dramatike. Janë disa familje nën rrënoja. Një pallati i dëmtuar është i tëri i banuar. Ka 20 hyrje, 4 në çdo kat. Është prishur gjysma e pallatit. Njëri krah i tij është tashmë gërmadhë. Nuk dimë se sa prej njerëzve nuk kanë mundur të dalin”, tha i tronditur gazetari Skëndaj.

Ai ka raportuar momentet tronditëse kur viktima nxirreshin nga rrënojat ashtu si edhe momentet e gëzuara kur nxirrej ndonjë i mbijetuar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb