TIRANË

Eksperti Rrapo Ormëni ka qenë në studion e News24 për të folur për tërmetet që goditën sot vendin dhe parashikimet që mund të bëhen në vijim.
Ai tha se pas tërmetit të fortë të orës 16:05 ka pasur 130 pasgoditje por që kanë ardhur duke u shuar. Në gjykimin e tij, rreziku ka kaluar por nuk mund të thuhet asnjëherë me siguri të plotë pasi tërmetet janë të paparashikueshëm.


“Ka pasur 130 pas goditje. Një tërmet kryesor ka qenë me magnitudë 5.8 të shkallës Rihter. Pasgoditjet do të vazhdojnë por nuk do jenë si goditja kryesore.
Tërmetet nuk mund të parashikohen. Pasgoditjet janë të vogla dhe do të vijnë duke u shuar. Ka kaluar rreziku kryesor por gjithmonë me një gjykim. Asnjë herë nuk mund të thuhet me siguri të plotë.
Tërmeti ka qenë me thellësi 30 km, po të kishte qenë më cekët do kishte pasoja më të mëdha.
Kur jeni në shtëpi duhet të vendoseni nën një objekt të fortë. Në qoftë se jeni jashtë duhet të qëndroni sa më larg godinave. Nëse përsëriten lëkundjet duhet të ruhet qetësia.
Plasaritje kam dhe unë në shtëpinë time. Nuk ka pse të shqetësoheni.
Sizmologu grek që foli për tërmetin e fortë, 5.3 ai bëri një gjykim dhe tha disa herë më i madh, jo në Rihter por në energji. Interpretimi ishte i gabuar. Energjia bëhet fjalë për vatrën e tërmetit. Sa më e madhe të jetë energjia, magnituda aq më i madh është efekti. Në një magnitudë 6 efekti është 11 herë më i madh në energji.
Duhet të bëhet dallimi nga Rihter dhe Ballë. Ballë është efekti si ndihet”, tha sizmologu Ormëni.
Ai u shpreh se pasgoditjet mund të vazhdojnë me muaj. Por kur mund të themi që përfundimisht mbaroi?
“Duket që ditën e parë ose të dytë. Në këtë rast duket nga fakti se madhësia e pasgoditjeve është më e vogël dhe ky tërmet shkon duke u shuar. Kur janë tërmete të tilla shkojnë pasgoditjet dhe me muaj por kuptohet janë të padëmshëm”, deklaroi sizmologu.



(BalkanWeb)