Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo flet për dëmet që shkaktuan tërmetet e rëna në këtë qark për disa ditë me radhë.
I pyetur nga gazetarja e “BalkanWeb” Lorena Kodra, Filo tha se do të ndërtohen nga e para 60 shtëpi të shkatërruara dhe do të rikonstruktohen 90 të tjera.
Sipas tij dëmi i përllogaritur deri më tani shkon deri në 250 milion lekë.
“Grupet e ekspertëve kanë filluar prej 2-3 ditësh vlerësimin e dëmeve të shkaktuara për Bashkinë e Korçës. Ka patur një përllogaritje fillestare të faturës të rikonstruksionit të shtëpive,kemi bërë një vlerësim paraprak dhe kemi llogaritur një vlerë të ndërtimit të rreth 60 shtëpive, të cilat duhen ndërtuar nga e para dhe 90 banesa të cilave u duhet një rikonstruksion, që varion nga rikontruksioni më i plotë deri tek rikonstruksioni më i pjesshëm. Vlera paraprake e përllogaritur nga komisioni i ekspertëve varion nga 200 deri në 250 milion lekë të reja për dëmet e shkaktuara në Bashkinë e Korçës ku përfshihet kryesisht fshati i Floqit por edhe fshatra të tjerë të Bashkisë Korçë”,- u shpreh Filo.
(BalkanWeb)