Pas mbledhjes urgjente të qeverisë në mesnatë, kryeministri Edi Rama ka mbledhur ditën e sotme të gjithë Prefektët dhe Forcat e Armatosura, në Ministrinë e Mbrojtjes, për të marrë masa për tërmetet, në mënyrë që të shmanget ndonjë tragjedi e mundshme në njerëz, por edhe për të riparuar dëmet e shkaktuar deri më tani.

Mbledhja ka nisur në orën 10:oo, ku e pranishme është edhe ministrja Olta Xhaçka. Në fjalën e saj, ministrja tha se ka qenë një natë intensive, ku të gjitha shtabet e emergjencave, bluzat e bardha dhe forcat e armatosura kanë qenë në terren për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve.

“Ka qenë një natë shumë intensive për të gjitha shtabet e emergjencës, bluzat e bardha, forcat e armatosura. Kemi qenë të gjithë në terren për të lehtësuar pasojat e tërmetit dhe ndihmuar njerëzit, që për shkak të panikut dhe dëmtimeve e kanë kaluar natën jashtë. Ajo që vjen më pas, është ajo që ka më shumë rëndësi. Ne duhet t’i ndodhemi pranë çdo qytetari të prekur nga tërmeti. Shumë familje me fëmijë të vegjël janë të detyruar të kërkojnë ndihmën tonë apo të refuzojnë të futen në banesa, për shkak të frikës, ndaj atyre duhet t’iu plotësohen kushtet.


Do bëjmë maksimumin për të akomoduar gjithsecilin. Janë ngritur shumë qendra që mund të presin qytetarët, kryesisht në Tiranë dhe Durrës, por mund të bëhet një punë edhe më e mirë, jo vetëm nga shtabet e emergjencës, por nga të gjithë ne, që askujt të mos i mungojë kujdesi në këto ditë të vështira. të ngremë një orë e më parë grupet e vlerësimit për të vlerësuar dëmi n real të tërmetit dhe për të siguruar të gjithë qytetarët se do bëjmë maksimumin për t’i dëmshpërblyer”, tha Xhaçka.


Menjëherë pas këtij takimi, Rama do të mbledhë urgjentisht grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku të pranishëm do të jenë edhe ministrat e krerët e bashkive.


Tërmetet e forta, që kulmuan pasditen e djeshme me lëkundjen 5.8 ballë të shkallës Rihter, dhe që kanë vijuar gjatë gjithë natës, shkaktuan dëme të mëdha në Tiranë dhe Durrës, duke lënë të lënduar mbi 100 qytetarë, duke shkatërruar mbi 100 banesa e shumë pallate. Deri më tani janë ngritur gjashtë pika emergjence në disa zona të Tiranës, ndërsa pritet të merren të tjera masa në orët në vijim.

(BalkanWeb)

Etiketa: