TIRANË

Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur një tjetër propozim për qeverinë Rama. Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama i bën thirrje qeverisë që për pos Tiranës dhe Durrësit, të shpallë menjëherë gjendjen e fatkeqësisë natyrore edhe në qarkun e Lezhës.

LSI-ja ka përshëndetur nismën e ndërmarrë nga ana e qeverisë, e cila shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa shton faktin se ajo do të kontribuojë në përmbushjen e plotë të këtij hapi, që iu shërben të prekurve nga tërmeti apokaliptik që la pas mbi 30 të vdekur dhe qindra të plagosur.

Reagimi i Luan Ramës:

Një propozim për qeverinë: përfshini në VKM-në për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, edhe qarkun e Lezhës. Qeveria më në fund ka vendosur të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës dhe Tiranë, si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Vendimi i duhur, mbështetje maksimale dhe solidaritet i plotë që qeveria të përmbushë të gjitha detyrimet që ka. Por, meqenëse në emër të LSI-së kam qenë i pari që i kam kërkuar kryeministrit që qeveria të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore, vërej se vendimi i Këshillit të Ministrave është i mangët. Ndaj, po i drejtohem sërisht publikisht qeverisë me një propozim: përfshini në VKM-në për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore edhe qarkun e Lezhës. Sepse edhe në qarkun e Lezhës, janë me qindra shtëpi dhe objekte të dëmtuara si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit;

Sepse edhe banorët e qarkut të Lezhës kanë nevojë të trajtohen me statusin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore; Sepse edhe për banorët e qarkut të Lezhës, qeveria ka të njejtat detyrime dhe përgjegjësi si për banorët e qarqeve të Durrësit dhe Tiranës. Asnjë diskriminim, ndihmë dhe solidaritet për të gjithë të dëmtuarit prej tërmetit të 26 nēntorit!

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb