Disa qytetarë dje e kaluan natën jashtë shtëpive të tyre, nga frika e një goditjeje të dytë më të fortë sizmike, se ajo e tërmetit të orës 4 e 04 minuta dje pasdite. Jo pak të tjerë zgjodhën të largoheshin nga Durrësi apo Tirana, qytetet ku tërmeti i djeshëm u ndje më fortë. Ndonjë që e quan veten specialist guxoi të dilte edhe në media, duke parashikuar tërmete të tjerë në të ardhmen e afërt. Kush mendon se tërmetet mund të parashikohen, gabon rëndë. Me gjithë zhvillimin e aparaturave matëse të aktivitetit sizmik dhe njohjen më të gjerë e të thellë të natyrës dhe aktivitetit të shtresave të ndryshme që formojnë koren e Tokës, asnjë ekip shkencëtarësh të stacioneve ose kërkimeve sizmike në SHBA, Japoni apo Kinë nuk ka qenë në gjendje të parashikojë qoftë edhe në intervale orësh (për të mos folur ditësh) ndodhjen e një tërmeti. Kush flet ndryshe dhe provon të prodhojë parashikime, është thjesht një sharlatan. Një sizmolog i njohur tek ne dje më tregoi një histori të jetuar, por që pastaj mes sizmologëve malazezë e shqiptarë u bë gati anekdotë. Drejtuesi i një observatori sizmologjik në Podgoricë u ftua, me nxitje edhe të politikanëve, të qetësonte popullatën, sidomos pushuesit e huaj në bregdetin e Malit të Zi, pas goditjes së një tërmeti me grade 5.6 shkallë Richter më 14 prill 1979 në Mal të Zi.

Doli në televizionin shtetëror të Malit të Zi dhe parashikoi i sigurt se për një periudhë të afërt nuk do të ndodhnin tërmete në këtë shtet. Të nesërmen ndodhi tërmeti tejet i fortë 6.9 gradë shkalla Richter (ose 9 gradë shkalla merkali-gradëve të kësaj shkalle ne i themi ballë), 15 km nga bregdeti i Mali të Zi, ndërmjet Tivarit dhe Ulqinit, i cili rrafshoi Budvën historike dhe shkaktoi 101 viktima në Mal të Zi dhe 35 viktima në Shqipëri, Shkodër. Të nesërmen e ndodhjes së tërmetit të dytë, sizmologun “parashikues” e përshëndet në rrugë një prift “Mirëmëngjesi koleg!”. Duke parë veshjen e priftit, sizmologu i përgjigjet: “Po nuk jemi kolegë zotëri”. “Jemi që ç’ke me të, – ia kthen prifti. – Aq sa di unë nga punët e Atij atje lart, aq di edhe ti se çfarë ndodh këtu poshtë, nëntokë”. Sizmologu nuk foli. Shqipëria është një nga vendet me sizmicitetin (përplasjen e pllakave të mëdha kontinentale) më të lartë në Europë. Vendi ynë bën pjesë në Ballkan dhe Ballkani është një zonë me aktivitet të lartë sizmik. Në zonën mesdhetare ndodhin rreth 15% e tërmeteve në botë, ndërsa pjesa tjetër, rreth 80% e tërmeteve, ndodhin në unazën e Paqësorit (brigjet e SHBA-ve dhe në skajin tjetër të Japonisë, Kinës etj.). Pikërisht kjo është arsyeja që vendi ynë shpeshherë goditet nga tërmetet. Shkaku i tyre është përplasja e pllakave të mëdha kontinentale, që janë pllaka afrikane dhe pllaka euroazitike. Si pasojë e lëvizjes, ato goditen në buzët e tyre dhe tensionojnë, sforcojnë, pjesët e brendshme.

Në zonat ku nuk mbahet ky sforcim, toka rrëshqet, këputet dhe ndodh ai që e quajmë tërmet. Këto zona që nuk mbajnë këtë mbingarkesë nuk parashikohen dot. Minitërmetet (të shkallës 2-4 gradë Richter) ndodhin gjatë gjithë kohës në të gjithë territorin e Shqipërisë. Statistikat tregojnë se tërmetet “e vogla”, ato me magnitudë (forcë) 4.5 gradë Richter janë të shpeshta, maksimumi dy herë në vit tek ne. Ndërsa tërmetet mesatare 5 deri në 5.5 gradë Richter ndodhin njëherë nga 2 deri në 5 vjet. Tërmetet e forta, ato mbi 5.5 gradë Richter janë tepër të rrallë, kërkojnë dekada, mbi 10 vjet. Kjo për një arsye fare të thjeshtë. Sa më i madh të jetë tërmeti, aq më shumë energji akumulohet përpara ndodhjes së tij mes pllakave tektonike dhe aq më shumë kohë duhet që kjo energji të arrijë nivele aq të larta. Pas goditjes së djeshme, edhe pse të gjithë qytetarët janë të shqetësuar, realisht nuk ka vend për panik. Edhe pse tërmetet nuk mund t’i parashikojmë, mund të ruhemi disi nga pasojat e tyre. Gjatë një tërmeti, duhet të ruajmë orientimin, të ulemi menjëherë në dysheme dhe të mbledhim duart dhe krahët, përpara se tërmeti të na rrëzojë, duke u ulur poshtë një tavoline, apo poshtë ndonjë mobilieje që nuk mund të rrëzohet mbi ne. Nëse lëkundjet na gjejnë në këmbë, gjëja më e mirë që mund të bëjmë është të strehohemi poshtë shtyllës mbajtëse të derës ose në qoshet e dhomës, por kurrsesi jo te shkallët, pse ato kanë mbajtëse të dobëta dhe rrëzohen të parat.

Me tërmetin gjithçka ndodh në pak sekonda dhe duhet të jemi të aftë në ato pak sekonda të arrijmë mbrojtjen më të mirë të mundshme për fëmijët apo veten tonë. Tërmetet nuk mund të parashikohen, po duke shfrytëzuar punën e profesorëve tanë të aftë sizmologë, hartat e tyre dhe rajonizimet e kryera, qeveria mund dhe duhet të marrë masa efektive, për të mos pasur katastrofa të dhimbshme për qytetarët. Tek ne është kryer i plotë rajonizimi i sizmicitetit, duke evidentuar zonat më të rrezikshme për tërmete. Qeveria duhet të këmbëngulë t’u tregojë kompanive të ndërtimit fituese lejesh ndërtimi se ku duhen marrë masa për struktura ndërtimi sa më solide, për t’u bërë ballë tërmeteve të mundshëm edhe të një shkalle të lartë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: