Pas prokurorisë së Tiranës dhe Durrësit një tjetër organ i akuzës ka nisur hetimet për pasojat e tërmetit që tronditi Shqipërinë më 26 nëntor. Sipas burimeve të ‘News 24’ dhe ‘BalkanWeb’ së fundmi, Prokuroria e Kavajës njofton se kërkon informacion të hollësishëm për evidentimet e dëmtimeve nga tërmeti.


Prokuroria informon se nëpërmjet një shkrese zyrtare drejtuar tre institucioneve, konkretisht, Bashkisë Kavajë, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Komisariatit të Policisë Kavajë ajo kërkon informacion të hollësishëm mbi evidentimin e dëmeve të objekteve apo për persona të lënduar nga ky tërmet.


Nëpërmjet saj Prokuroria kërkon të informohet nga institucionet e lartpërmendura për çdo rast të evidentuar, i cili duhet të konsistojë si: në rastet kur rezultojnë dëmtime të karakterit të rëndë të ndërtesave të cilat kanë krijuar probleme dhe pasojë në shëndetin e njerëzve, të dëmtimeve që rezultojnë për shkak të shkeljeve të elementëve teknikë të ndërtimit të cilat konsiderohen si të papërshtatshme për banim duke ju referuar zbatimit të projekteve, rastet kur do të vendoset mospërdorimi i tyre për shkak të rrezikshmërisë dhe shembja e tyre etj.


  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Këto informacione prokuroria e Kavajës i kërkon me qëllim nisjen e hetimeve për rastet që do të rezultojnë me shkelje në lidhje me ndërtesat e dëmtuara për të nxjerrë përgjegjësitë e kompanive ndërtuese, projektuesve dhe institucionet që u kanë dhënë hipotekën banesave që nuk kanë asnjë kusht sigurie. Veprat penale për të cilat po hetohen janë “Shpërdorim detyre”, “Ndërtim i paligjshëm”, dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”.

Tërmeti i 26 nëntorit që tronditi shqiptarët dhe la pasoja të mëdha në Durrës, Thumanë, ish-Kënetë dhe Kavajë, ku për pasojë humbën jetën 51 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Fatmirësisht në Kavajë ky tërmet shkaktoi vetëm dëme materiale dhe nuk u regjistrua asnjë humbje në jetë njerëzish.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb