Studiuesi i mirënjohur Moikom Zeqo i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” foli për tërmetin e 26 nëntorit, pasojat dhe gjithçka ndodhi pas fatkeqësisë natyrore.

Zeqo u shpreh se tërmeti zbuloi një shtet prej kartoni, ndërsa ka shtuar se fatkeqësisht në vend mungojnë specialistët. Ai deklaroi se është pesimist për ringritjen e monumenteve të kulturës.

“Dëmet nga tërmeti kanë qenë të shumta. Dëmtimet ishin të shumta në Durrës e Thumanë. Ka dy elementë të gabimit njerëzor, e para ndërtimet në zona Kënetore në Durrës dhe gabimi i dytë njerëzor është se disa banesa që ishin shpallur të pabanueshme, u banuan. Pushteti vendor gaboi, por nuk kam dëgjuar që kryebashkiakët të kërkojnë falje. Një analizë e thellë do të nxirrte përgjegjësitë. Duhet një mea culpa e pushtetit vendor. Më 26 nëntor 2019 kishim një shtet prej kartoni.

Vështirë të ringrihen monumentet e kulturës që janë dëmtuar nga ky tërmet. Kjo sepse mungojnë specialistët. Unë kam kritikuar edhe Ministrinë e Kulturës. Nuk kishim një shtet të emergjencës. Kjo administratë nuk ka specialistë, por ka njerëz të komanduar në punë. Administrata është e papërshtatshme, Kryesisht vënë njerëz me njohje e nuk ka specialist. Unë kam ngritur zërin që Ministria e Kulturës të restaurojë ata ndërtesa historike që u shkatërruan. Ne nuk kemi specialistë për të bërë rikonstruksione. Nuk e kuptoj sesi ne heshtim përballë kësaj kasaphane. Nuk ishte pabesi, natyra ka punët e saj. Durrësi ka pësuar tre tërmete, edhe dy më herët në shekullin e parë dhe të katërt. Vdekja e 51 persona është bilanc i rëndë për vendin. Edhe dëmi ekonomik ishte i madh”, tha Zeqo.

Moikom Zeqo theksoi se ky tërmet ka bërë që te njerëzit të ketë panik, ndoshta si kurrë më herët.

“Tërmeti i 2019 është tërmeti më i madh i këtij shekulli. Por ka pasur edhe tëmet të fuqishëm Shqipëria më 1979. Tërmeti i 1979 ka qenë më i tmerrshëm. Ka pasur epiqendrën në Mal të Zi dhe më së shumti ka goditur veriun, Shkodrën, Dibrën dhe shumë zona veriore. Mirëpo tërmeti i 2019 ka qenë shumë i kushtueshëm dhe tepër i ndjeshëm. Hera e parë konstatova elementin e panikut. Asnjëherë nuk ka pasur ndonjëherë këtë lloj paniku si më herët. Dy vëllezërit e mi që jetojnë në Durrës ikën nga shtëpia për 3 javë. Ky element i panikut është në natyrën njerëzore, por këtë herë ishte më i theksuar, pasi 40 për qind e banorëve të Durrësit ikën dhe sigurisht janë kthyer”, tha Zeqo.

Studiuesi Moikom Zeqo foli edhe për tërmetin e vitit 1979, duke thënë se në atë kohë kishte më tepër solidaritet njerëzor. Zeqo kritikoi qeveritarët e sotëm për faktin se nuk kanë ndihmuar sa duhet, ndërsa nënvizoi se media ka bërë një punë të jashtëzakonshme në këto ditë fatkeqësie.

Shteti ndihmoi në tërmetin e 1979, kishte shembull të solidaritetit popullor. Mirëpo, ishte edhe fryma se ne bëjmë gjithçka vetë, ekzistonte kjo frymë. Në vitin 1979 kishte dashamirësi, kishte njezërllëk, solidaritet. Ne kemi pushtetarë të pasur, por nuk kam dëgjuar që politikanët tanë të japin shumë. Unë mendoj se media e tanishme është më e fuqishme se në atë kohë. Kjo media e sotme ka bërë një detyrë të jashtëzakonshme historike. Pra, është marrë me këtë dukuri mirë. Kjo medie nuk mund të kritikohet kaq rëndë. Kudo ka eksese, por roli i gazetarëve ka qenë i madh jashtëzakonisht.”, u shpreh Zeqo.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb