Edhe pse nuk kanë prodhuar deri më sot asnjë kilovat orë energji, qeveria shqiptare përmes KESH po vazhdon të paguaj qiranë marramendëse të termocentraleve lundrues të ankoruar prej shtatorit të kaluar në Triport të Vlorës. Janë 94 mijë dollarë që fluturojnë çdo ditë, ndërsa në total fatura është 68 milion dollarë. Skandalit i ka prirë disa herë më zë dhe figurë vetë ministrja e energjisë Belinda Balluku, e cila në dhjetor të vitit që shkoi u premtonte qytetarëve se në janar dhe shkurt dy termocentralet lundrues të marrë me qira dhe me emrat ekzotikë “Tigri 1” dhe “tigri 2” ” do futeshin ne prodhim.

“Për të ardhmen në energji ne kemi plane të rëndësishme dhe agresive, ne do të vazhdojmë gjatë muajit Janar dhe gjatë muajit Shkurt të fusim në prodhim dy anijet prodhuese të energjisë elektrike që tashmë ndodhen të stacionuara në Triport”, deklaronte Balluku në dhjetor 2022. Praktikisht me çmimet aktuale të energjisë në bursat e huaja dy termocetralet nuk prodhojnë energji me leverdi, por nuk kuptohet se si qeveria shqiptare nuk e ka marrë parasysh asnjë moment këtë fakt për të bërë një kontratë fleksibël. Jo vetëm kaq, por dy njësitë prodhuese të marra me qira nuk kanë marrë licencat e prodhimit nga enti rregullator i energjisë, një institucion ky që në fakt qeveria e ka nën kontroll të plotë.

“Për bërë një përmbledhje se me çfarë do të krenohemi në vitin 2023, ashtu siç tha Ergysi ne tashmë kemi dy njësi gjeneruese të cilat janë gati për prodhim…”, deklaronte Balluku në 9 janar 2023.

Ministrja Balluku u shpreh krenare më 9 janar të këtij viti për kontratën e 68 milionë dollarëshe, por ndërkohë duhet të mbajë përgjegjësi ligjore për skandalin, pasi janë para të taksapaguesve shqiptarë që paguhen pa u prodhuar asnjë kilovat orë energji. Nuk është e qartë se pse SPAK nuk ka hapur ende dosje për këtë abuzim të pastër me fondet publike, por faktet dhe provat janë aty dhe rëndojnë tërësisht mbi funksionarët e lartë shtetërorë, dhe jo mbi kompaninë e huaj e cila është në të drejtën e saj pasi po e ofron shërbimin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb