Nga KRESHNIK ZEQAJ*

FIER – Ka ardhur dita që urdhrat e Kryeministrit dhe ministrave të mos zbatohen më! Kjo ka ndodhur edhe me shefen e Statistikave në Drejtorinë Rajonale të Shëndetësisë në Fier, Floresha Kalemaj, e cila u largua nga puna në vitin 2011, pse denoncoi në KLSH një emërim korruptiv pranë DRSH, Fier.

Edhe pse KLSH i dha të drejtë Kalemajt, ajo u largua nga puna në mënyrë diskriminuese. Pas largimit nga puna, Floresha Kalemaj e çon çështjen në gjykatën e Fierit dhe atë të Apelit në Vlorë, ku vendoset që Kalemaj të kthehet në punë. Pas shumë sorollatjesh dhe moszbatim të vendimit nga Drejtori i DRSH, Fier Kreshnik Tërnova, Kalemaj i drejtohet emisionit “Kaktus” ku në një prononcim deklaron se Drejtori Tërnova përdor një sjellje arrogante dhe nuk pranon që të hyjë në zyrë.

“Kaktus” udhëtoi drejt Fierit dhe tentoi të takonte si fillim Prefektin e Qarkut Xhevit Bushaj por ai nuk pranon të prononcohet duke iu shmangur daljes në kamera edhe pse ishte ai që në kërkesën zyrtare shprehet se Kalemaj nga 20.12.2014 duhet të ishte sërish në punë pranë DRSHF.

“Kaktus” troket në derën e zyrës së Kreshnik Tërnovës, kreut të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Fier, i cili thotë se duhet t’i dërgonim shkresë zyrtare, për një çështje ku ai është vetë i implikuar. Madje, Tërnova na drejtohet me një gjuhë arrogante duke deklaruar se po shkelnim rregullat e një institucioni duke thirrur edhe sekretaren për të kontaktuar me Policinë për largimin tonë: “Zotëri ju lutem mund të dilni pak jashtë, sepse po shkelni rregullat e institucionit. Sekretare, thirr Policinë për të larguar këta.”

Tani nuk kuptohet nëse ky institucion është privat apo shtetëror, sepse Drejtori Kreshnik Tërnova e ka kthyer në pronë private dhe nuk lejon që askush të hyjë tek zyra e tij. Znj. Kalemaj në 1 dhjetor ka takuar edhe kryeministrin Edi Rama, i cili ashtu si paraardhësi i tij Berisha i ka dhënë të drejtëtë rikthehet në vendin e punës.

Por, Floresha në punë nuk kthehet, lekët që i takojnë nuk i jepen, lekë të firmosura edhe nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili me 04.08..2014 autorizon DRSHF për likujdimin total të saj. Ministria e Shëndetësisë hesht kur “Kaktus” i kërkon reagim zyrtar, por nuk duhet të heshtë për Drejtorin Kreshnik Tërnova që varet nga MSH.

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb