Gjatë një aksioni të Policisë së Shtetit në të gjithë territorin e vendit për parandalimin e kultivimit të kanabisit ku u angazhuan 289 grupe kontrolli nga Drejtoritë Vendore të Policisë dhe Drejtoritë Vendore të Kufirit e Migracionit, 1.110 punonjës policie me 203 automjete policie dhe 2 mjete lundruese.



Ndonëse u kryen gjithsej 4.922 kontrolle/rikontrolle, në sera, objekte e banesa policia nuk gjeti asnjë rrënjë kanabisi.


U kontrolluan 1795 sera/minisera, 1036 magazina/objekte, 883 ish objekte ushtarake, 509 shtëpi të braktisura, 299 stane/stalla, 407 ambiente të hapura, 43 parcela të kultivuara në vitet 2016-2017.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në territor dhe në ambiente të mbyllura nuk është konstatuar asnjë rast i kultivimit të bimëve narkotike.

Grupet e monitorimit të DPPSH, të cilët janë përgjegjëse për territoret e caktuara për monitorim kanë ndjekur operacionin në të gjithë territorin e vendit.

Policia thotë se kontrollet do vijojnë në mënyrë periodike në bashkëpunim edhe me aktorë dhe agjenci të tjera përgjegjëse, të përfshira në Planin Kombëtar të Veprimit për parandalimin e kultivimit të kanabisit.

(BalkanWeb)