Policia e Shkodrës ka asgjesuar 390 bimë kanabis në kuadër të operacionit “territor i pastër”, ndërsa arrestoi një 46-vjeçar si autorin e dyshuar të kultivimit të narkotikëve. Gjithashtu atij iu bllokuan armë zjarri dhe municione që i mbante pa leje.

Policia njoftoi se në vijim të megaoperacionit kombëtar të koduar “Territor i pastër”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Xhan, të njësisë administrative Pult, kanë konstatuar të mbjella në tokë 54 bimë të dyshuara kanabis.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në dy banesa të braktisura, u gjetën rreth 336 bimë të dyshuara narkotike kanabis në proces tharjeje, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Po gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.

“Në vijim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. F., 46 vjeç, banues në fshatin Bleran, i dyshuar si autor i kultivimit të bimëve kanabis dhe posedues i armës së zjarrit dhe municionit luftarak që u gjetën në dy banesat e braktisura që i kishte në përdorim ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njoftoi Policia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb